TIRANË- Gjykata e Tiranës ka lënë në fuqi masat e sigurisë “arrest me burg” për të arrestuarit e operacionit ku u goditën disa pika Call Centera që mashtronin qytetarët europiane. Ata dolën sot për t'u njohur me masat e sigurisë, ndërsa për 5 të arrestuarit në flagrancë, senaca për vlerësimin e masës do mbahet ditën e nesërme.
Arrest me burg për: Eduart Dall, Mateo Hoxha, Tedi Agastra, Xhoel Mekolli dhe Ledio Toçi.
Të arrestuarit në flagrancë: Kristjan Buda, Benard Bib, Kleidi Dyrma, Ema Taip dhe Eno Hana.
Në ambientet e zbuluara në kryeqytet, ishin punësuar dhjetëra të rinj, të cilët kryenin thirrje drejt qytetarëve europianë, kryesisht nga Gjermania dhe Austria, duke i bindur të investonin në platforma financiare që rezultonin mashtruese.
Sipas dosjes së siguruar nga gazetarja e Top Channel Anila Hoxha, tregohet sesi shtetas të ndryshëm të vendeve të Bashkimit Evropian, janë mashtruar financiarisht duke u shkaktuar humbje të shumave të mëdha financiare.
Autoritetet austriake dhanë indiciet se call centerat në Shqipëri kanë kryer mashtrim me shuma të mëdha në Vjenë dhe qytete të tjera në Austri nga periudha 15 qershor 2023 deri më 30 korrik 2024.
Në dosje thuhet se përmes sjelljeve mashtruese, ata kanë nxitur qytetarët e dëmtuar duke paraqitur rrethana të rreme se paratë e transferuara do të investoheshin vërtet. Nëpërmjet mashtrimit autorët kanë përfituar në mënyrë të padrejtë vetë ose për llogari të personave të tjerë, pasi të dëmtuarit për shkak të mashtrimeve dhe prezantimit të të dhënave të rreme kanë transferuar miliona shuma të konsiderueshme parash të cilat në total mendohet se mund të jetë më shumë se 30 milion euro.
Të dëmtuarit zakonisht hyjnë në këto platforma mashtruese përmes një reklame të rreme të të një personazhi të famshëm. Investimet e supozuara nuk janë realizuar dhe kalimi i është drejtuar në rrjetin e ndërlikuar të pastrimit të parave.
Nga ana e telefonuesve “këshilltarë financiar”, nëpërmjet programit any desk kanë kryer komandim nga distanca në kompjuterat e të dëmtuarve. Pjesa më e madhe e adresave Ip të autorëve janë të maskuara duke përdorur VPN ose Proxy, por në informacionin e dërguar partnerët kishin arritur të identifikonin disa IP Shqiptare të cilat i kanë vënë në dispozicion.