TIRANË-Edhe ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj ka kërkuar që seanca gjyqësore në GJKKO në ngarkim të tij për dosjen Buka të transmetohet live. Kërkesa vjen pas asaj të ish-Presidentit Ilir Meta dhe kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj.
“Të transmetohet live seanca. Publiku ta shohë procesin”, deklaroi avokati i tij, Henrik Ligori në seancën e radhës të dosjes “Buka".
Ahmetaj po gjykohet në mungesë teksa Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e avokatëve, që ai të mund të dëshmojë me audio ose video konferencë. Lidhur me dosjen në listë janë 22 dëshmitarë. Në këtë çështje Ahmetaj akuzohet për “shpërdorim të detyrës” gjatë procesit të privatizimit të ndërmarrjes “Buka sh.a”, duke shkaktuar një dëm prej miliona eurosh në buxhetin e shtetit.
Arben Ahmetaj, në cilësinë e Ministrit të Ekonomisë, zhvilloi ankandin për shitjen e aksioneve të “Buka” sh.a në vitin 2015, ku iu kalua biznesmenit Fezollari edhe prona që iu është njohur trashëgimtarëve të ish-pronarit të shpronësuar në vitin 1945 nga regjimi komunist. Dëmi që llogaritet nga privatizimi i ish-fabrikës së bukës llogaritet të jetë 700 milionë lekë.
Ish-zv kryeministri i vendit, Arben Ahmetaj është aktualisht në kërkim ndërkombëtar, teksa mbi të rëndojnë akuzat “Korrupsion pasiv”, “Fshehje pasurie” dhe “Pastrim parash”. Ish-numrit dy të qeverisë i janë sekuestruar disa pasuri. Disa prej pronave dyshohet se janë vendosur nga raporti që ka pasur Ahmetaj me pronarët e inceneratorëve, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto. Vetë Ahmetaj i ka mohuar vazhdimisht akuzat, qoftë për dosjen e inceneratorëve, qoftë për privatizimin e ish-shoqërisë Buka./ZËRI