TIRANË- Seanca në themel për kryetarin e bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, që po zhvillohet në GJKKO është shoqëruar me debate në lidhje njohjen e dosjes nga ana e palës mbrojtëse.
Avokati Maks Haxhia ka ngritur shqetësimin nëse avokatja e Pranvera Doci, e cila iu caktua nga gjykata gardianit Fation Baci, është e njohur me dosjen hetimore. Haxhia, i cili në këtë proces mbron Ajola Xoxën, tha se procesi po bëhet qesharak. Avokati është shprehur se kolegia duhet të shprehet qartë mbi këtë çështje, edhe në funksion të përgjegjësive disiplinore.
Maks Haxhia: Jam legjitimuar te ndjek ligjin. Avokatët që keni caktuar kryesisht është njohur me dosjen hetimore apo jo? Pra përfaqësuesja ligjore Pranvera Doci e caktuar kryesisht për Fatjon Barcin. Duam të bëjmë proces jo sa për te pasur një avokat. Të lutem prokuror të mbaroj une. Sepse po bëhet qesharak procesi.
Ols Dado i drejtohet Maks Haxhisë: Nuk je kryetar i dhomës zotëri je avokat i të pandehurit. Ti urdhëron këtu të flas apo nuk flas unë?
Engjëllushe Tahiri: Si ju ashtu edhe Maks Haxhia mbroni të pandehur në proces. Ju mund të keni tagra të tjera, por këtu jeni vetëm mbrojtës ligjor.
Ndërkohë, avokati i Erion Veliajt, Plarent Ndreca mbështeti qëndrimin e Haxhias, duke argumentuar se ai nuk mund të ndajë rolet e tij.
“Mbështes kolegun Maks Haxhia, i ka të dyja cilësitë dhe nuk mund të dal nga njëra apo nga tjetra. Procesi i rregullt ligjore lidhet dhe me mënyrën si ushtron profesionin avokati”, tha avokati i Veliajt, Plarent Ndreca.
Ndërkohë, Ndreca paraqiti gjithashtu një kërkesë me shkrim, duke sqaruar se ka kërkuar më herët të njihet me aktet e dosjes dhe oraret përkatëse në gjykatë. Ai tha se ende nuk i është vënë në dispozicion në mënyrë elektronike e gjithë dosja prej 60 mijë faqesh dhe se ende paraqitet në Gjykatë për ta lexuar. Sipas tij mungojnë fashikujt nga 142 deri tek 166 (pra 24 fashikuj) dhe shtoi se rrezikon që ky proces të bjerë ndesh me Konventën Evropiane.
Plarent Ndreca: Jeni ju ata që vendosni. Të gjithë çka janë këtu janë për shkak të gjyqit të Erion Veliaj. Dhe cilësitë e një avokati nuk mund të ndalen nëse shikohet një problematikë. Ju kam kërkuar orare se kur unë të vij në gjykatë dhe të konsultohem me dosjen. Më 26/03 kam filluar studimin e dosjes dhe më është thënë se do të vijnë elektronike. Unë kam qenë fizikisht në gjykatë për të fituar kohë dhe për të lexuar 60 mijë faqe dhe 1 mijë e më shumë prova. Mungojnë fashikujt nga 142 deri tek 166. Dua të shqyrtoj se çfarë mungon nga kjo dosje. Rrezikon që ky proces të bjerë ndesh me Konventën Evropiane.
Megjithatë, prokurori Dado ka deklaruar se kërkesa e mbrojtjes është e panevojshme, sepse aktet janë dorëzuar.
“Mund të ndodhë që edhe pas një muaji të kemi të njëjtën situatë me ndryshim avokati dhe ai (Veliaj) do të kërkojë kohë për t’u njohur me aktet”, ka argumentuar ai.