DURRËS-Policia kufitare e Durrrsit ka arrestuar tre persona në POrt dhe një tjetër është vendosur nën hetim. Konkretisht në pranga u vendos një 47-vjeçar pasi në kamionin e tij u gjetën 3 persona të fshur të cilët synonin të shkonin ilegalisht në Itali. Përveç shoferit të kamionit, u arrestuan dhe dy prej shtetasve të akuzuar për trafikim drogë në Itali.
Hetimet zbuluan se dy prej emigrantëve ishin të shpallur në kërkim nga autoritetet italiane, ndërsa njëri prej tyre dyshohet se është pjesë e një organizate kriminale të përfshirë në trafikun e drogës dhe ishte dënuar edhe më aprë në shtetin fqinj.
Njoftimi i policisë:
Fshehu në kamionin që drejtonte, 3 shtetas që synonin të kalonin ilegalisht në Itali, arrestohet 47-vjeçari.
2 nga shtetasit e fshehur në kamion, të shpallur në kërkim nga autoritetet italiane, njëri prej tyre i akuzuar si pjesëtar i një organizate kriminale që trafikonte lëndë narkotike.
Këta 2 shtetas u vunë në pranga, ndërsa shtetasi tjetër i fshehur në kamion, i dënuar më parë në Itali, u vu në hetim.
Sekuestrohen kamioni, celularë dhe dokumente të këtyre shtetasve.
Si rezultat i kontrolleve të detajuara në hyrje/dalje të Republikës së Shqipërisë, ndaj shtetasve dhe mjeteve me të cilat ata lëvizin, dhe i administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, shërbimet e Policisë Kufitare të portit të Durrësit finalizuan operacionin policor të koduar “Marine”. Në kuadër të operacionit u vu në pranga shtetasi:
K. Gj., 47 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale "Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve" dhe "Përkrahja e autorit të krimit", pasi në kamionin që drejtonte u gjetën të fshehur 3 shtetas që synonin të kalonin ilegalisht kufirin.
Nga verifikimet e kryera në kuadër të këtij operacioni dhe nga shkëmbimi i informacionit ndërmjet strukturave homologe të Interpolit, në Tiranë dhe në Romë, rezultoi se:
-shtetasi R. M., 37 vjeç, banues në Lezhë, i fshehur në kamion, ishte në kërkim ndërkombëtar, pasi Zyra e Prokurorit Publik në Pistoia, Itali, ka lëshuar urdhër arresti për të, për veprat penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i vuajtjes së dënimit”, “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Grup kriminal me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”. 37-vjeçari u arrestua provizorisht, me qëllim ekstradimin në Itali.
-shtetasi K. D. alias K. F. alias K. P., i fshehur në kamion, ishte shpallur në kërkim kombëtar në Itali. Ky shtetas u arrestua dhe pritet lëshimi i urdhër arrestit ndërkombëtar nga autoritetet italiane, për të.
-shtetasi S. D. alias K. M. i fshehur në kamion, ka qenë i dënuar më parë, me burgim, nga Gjykata e Pratos, Itali, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve. Për këtë shtetas nisi procedimi në gjendje të lirë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.