Aktualitet

"Durana"? Prokuroria e Tiranës merr në pyetje drejtoreshën e Korporatës së Investimeve, Elira Kokona

Ende nuk dihet çështja për të cilën do të pyetet Kokona, ndërsa më herët ZËRI raportoi për skemën e dyshimtë që është ndjekur në krijimin e 'Durana Tech Park', e cila ka si pronare Korporatën e Investimeve Shqiptare, që drejtohet nga Elira Kokona.

F.I
"Durana"? Prokuroria e Tiranës merr në pyetje
Elira Kokona

TIRANË- Drejtuesja e Korporatës së Investimeve, Elira Kokona është thirrur për t’u marrë në pyetje nga Prokuroria e Tiranës. Raportohet se Kokona do të merret në pyetje në cilësinë e personit në dijeni, për një kallëzim të bërë ndaj saj. Kallëzimi është paraqitur nga shtetasi Thanas Biqiku. Në kuadër të këtij procedimi, mësohet se do të merren në pyetje edhe disa persona të tjerë, përfshirë Enkelejd Musabelliu, Kastriot Gurra, Enkelejda Muça dhe Ermal Nufi. 

Ende nuk dihet çështja për të cilën do të pyetet Kokona, ndërsa më herët ZËRI raportoi për skemën e dyshimtë që është ndjekur në krijimin e 'Durana Tech Park', e cila ka si pronare Korporatën e Investimeve Shqiptare, që drejtohet nga Elira Kokona. Deri tani janë regjistruar më shumë se 53 kompani të lidhura me AKSHI-n, të cilat nga 1 Janari nuk do të paguanin taksa dhe detyrimet në shtet, pasi supozohej të sillnin risi në fushën e teknologjisë. 

Nga verifikimi që ZËRI i bëri listës, në mbi 90% të saj, të njëjtët ortakë dhe aksionerë, fitues edhe të tenderave të AKSHI kanë disa kompani të tjera jashtë parkut me të njëjtin status ku ndryshon forma por jo përmbajtja.

Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka nisur tashmë një hetim për projektin “Durana Tech Park” të Korporatës Shqiptare të Investimeve, në vijim të hetimeve që lidhen me dosjen e AKSHI-t.  Verifikimet po fokusohen në disa kompani të regjistruara në DURANA, për të cilat ka dyshime se lidhen me personazhe të përfshirë në skandalin e AKSHI-t, mes tyre emra të njohur të sektorit të teknologjisë së informacionit dhe të tenderëve publikë. SPAK po verifikon nëse projekti DURANA është përdorur për favorizim dhe shmangie taksash në funksion të të njëjtëve aktorë të përfshirë në dosjen AKSHI.

Nga ana tjetër ‘Durana Tech Park’ vepron në bazë të VKM-ve të qeverisë përkatësisht nr.185 dhe 73 gjatë vitit 2024 dhe shtator 2025 dhe prej fillimit është zgjedhur një mënyrë hibride e operimit dhe aktualisht veprohet 100% virtualisht. Sipërfaqja e parkut si objekt fizik, duhej të ishte në Xhafzotaj të Durrësit, por parku teknologjik fizik nuk ekziston, nuk është vendosur qoftë edhe një tullë. Deri tani paratë publike nuk janë prekur. Asnjë nga kompanitë e 'Durana' nga 1 janari deri më 15 janar, nuk kanë kryer asnjë aktivitet ekonomik qoftë edhe virtualisht. 

ZËRI iu drejtua me një kërkesë për informacion zhvillueses së Parkut, znj. Elira Kokona. Pyetjeve tona se cilat kanë qenë procedurat e pranimit të kompanive, filtrat për të shmangur një kalim fiktiv të veprimtarisë në Durana, nuk kanë marrë një përgjigje. 

Poll

MOS HUMB