
TIRANË-E enjte 3 shtator 2026, seria e ngjarjeve 'ndez' Shqipërinë nga jugu në veri, me 2 shpërthime tritoli në Durrës, një vrasje me breshëri plumbash në Mirditë, një përballje mes biznesmenëve me 'ushtri' e armë në Vlorë dhe një plagosje në Korçë. Kjo ishte panorama e hartës së ngjarjeve që shënuan 3 shtatorin në Shqipëri.
Në orët e para të mëngjesit dy shpërthime me tritol do të trondisnin Durrësin, për fat të mirë, vetëm me dëme materiale. Shpërthimi i parë u regjistrua rreth orës 03:50, në lagjen nr. 11 të Durrësit, ku lënda plasëse u hodh në derën e jashtme të një lokali në pronësi të Gëzim Kajno, i dënuar për vrasjen e Asllan Kërtushës në vitin 2016. Shpërthimi i dytë regjistrua në derën e një garazhdi në zonën e Shkallnurit, rreth orës 04:30. Burime i thanë ZËRI, se në shpërthimin në Shkallnur dyshohet se shënjestra ka qenë i riu i familjes Xhepexhiu, i njohur si Almerio Xhepexhiu. 33-vjeçari është një emër i njohur për Policinë e Shtetit, i skeduar dhe i arrestuar më herët për pengmarrjen e një qytetareje ukrainase, ngjarje e vitit 2017. Së fundmi, ai rezulton se jeton në Dubai. Hetimet vijonë dhe mbetet e pa qartë se çfarë fshihet pas shpërthimeve me lëndë plasëse.
Në orën 09:00 armët shkrepen në Mirditë: Ekzekutohet Viktor Bardhi! 65-vjeçari u gjet i vrarë me armë zjarri në mjetit e tij tip Benz. Viktor Bardhi ishte nisur për në punë atentatorët i zunë pritë në fshatin Ndërfushaz. Makina 'Mercedes Benz' e Bardhit u bë shoshë nga plumbat dhe u gjet e përplasur me një bordurë. Ndërkohë mjeti i autorëve u gjet i djegur afro 10 km larg vendngjarjes. Armët e krimit nuk u gjetën brenda “Audi A4”. Drejtori i Policisë së Lezhës deklaroi se është shoqëruar një person që mund të ketë dijeni për krimin, por ende asnjë detaj i ri apo autorë të identifikuar. Ngjarja dyshohet se ka si motiv përplasje me fisin Reçi, ku saga e hakmarrjes ndër vite ka shkaktuar disa viktima.
Dreka i lë radhën jugut: Terror në Radhimë, në hotelin Regina të biznesmenit Vasil Bedinaj 'zbarkojnë' të armatosur dhjetëra persona! Përplasja Vasil Bedinaj-Luan Muça: kërcënime, shkëmbim zjarri nga të dyja palët, fast & furious nëpër rrugët e Vlorës dhe një tokë në mes.
ZËRI ekskluzivisht raportoi se mesditën e sotme se dhjetra persona të armatosur me në krye Luan Muçën e Delta Group u përplasën me biznesmenin Vasil Bedinaj dhe me ushtarët e tij. Pas këtij momenti Bedinaj denoncon se i vendosën një gjobë prej 5 milionë eurosh dhe e kërcënuan që brenda 48 orësh të largohej nga Shqipëria. Përplasja nuk u mbyll në hotel. Gjatë largimit me makina nga ambjentet e hotelit të Bedinajt, burime për ZËRI bënë me dije se personat e përfshirë në konflikt ndoqën njëri-tjetrin.
Gjatë ndjekjes ka patur shkëmbim zjarri nga të dyja palët. Në Range Rover-in ku udhëtonte shtetasi nga Kosova, Blerim Heta, u gjetën dy plumba. Një Range Rover tjetër u aksidentua gjatë ndjekjes, ku udhëtonte Luan Muça me Klaudio dhe Mandrit Lleshaj, vëllezër, punonjës të SH.P.S.F. “Swat Security”. Gjatë kontrollit në automjet u gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri, pistoletë, së bashku me një krehër me 16 fishekë luftarakë. Një audi a8, në pronësi të shtetasit Renato Kodra, me targë AB 295 YB, u gjet i djegur në Radhimë. Brenda Audit janë gjetur gëzhoja dhe gjurmë gjaku, çka konfirmon se përveç Luan Muçës dhe Madrid Lleshajt, të cilët u dëmtuan gjatë aksidentit ka patur edhe person tjetër të plagosur.
Në pranga janë venosur Luan Muça, 55 vjeç, Klaudio Lleshaj, 29 vjeç, Mandrit Lleshaj, 33 vjeç, Blerim Heta, 40 vjeç, Angjelo Breshani, 29 vjeç. Në kërkim janë shpallur 6 persona, mes tyre edhe vëllai i biznesmenit Luan Muça, Bujar Muça, i cili ka qenë prezent në konfliktin e armatosur.
Shkak i konfliktit dyshohet se është bërë kjo tokë në Palasë, ku sipas burimeve për ZËRI-n, është parashikuar ndërtimi i një resorti nga pronari i "Delta Group". Bëhet fjalë për një sipërfaqe toke për të cilën të dyja palët pretendojnë të drejta pronësie. Mësohet se biznesmeni Luan Muça e kishte blerë tokën, duke marrë edhe vërtetimin e pronësisë. Ndërkohë, biznesmeni Vasil Bedinaj ka blerë një sipërfaqe toke pranë pronës së Luan Muçës, ku dyshohet se një prej parcelave të blera prej tij ka mbivendosje me pronën e blerë dy herë nga Muça.
Ora 15:30-Kërcet arma në Korçë! Dhimitër Shaka plagoset me armë zjarri nga kushëriri i tij Nikolin Tarusha. Ngjarja ndodhi në unazën e qytetit të Korçës, ku dyshohet se mes tyre ka pasur fillimisht një debat për motive të dobëta, i cili më pas ka degraduar në përdorimin e armës së zjarrit. Autori u shpall në kërkim pasi pas ngjarjes u largua në drejtim të paditur.
Nga vrasja e plagosja, te përplasjet mes biznesmenësh dhe shpërthimet me tritol- një bilanc i rëndë ngjarjesh, për të cilat tashmë janë hetimet ato që pritet të zbardhin autorët, motivet dhe të vërtetën e plotë.




