KUKËS- Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje në Kukës, ku një punonjës i policisë është përplasur nga një mjet, teksa ishte në krye të detyrës. Një prej personave të përfshirë në këtë ngjarje, rezulton që të jetë punonjës në Bashkinë e Kukësit.
Policia e Kukës ka arrestuar Veli Cenaj, 23-vjeç, administrator i njësisë administrative në lagjen “Gostil” të Bashkisë Kukës, pasi kërcënoi me jetë një punonjës policie rrugore në detyrë.
Ngjarja ndodhi pas një aksidenti, ku kushëriri i tij, Jurgen Cenaj, 23 vjeç, i shpallur tashmë në kërkim, goditi me makinë efektivin Ermir Metaliaj.
Edhe pse aksidenti ishte shkaktuar nga kushëriri, Veli Cenaj kërcënoi se do të hakmerrej personalisht ndaj punonjësit të policisë të plagosur.
“Specialistët e Komisariatit të Policisë Kukës arrestuan shtetasin V. C., 23 vjeç, banues në Kukës, punonjës i bashkisë Kukës, me detyrë administrator në lagjen “Gostil”, dhe shpallën në kërkim shtetasin J. C., 23 vjeç, banues në Kukës, pasi në vendin e quajtur “6-katëshi”, shtetasi J. C. ka përplasur me automjet, punonjësin e Policisë Rrugore në shërbim, shtetasin E. M., dhe është larguar, ndërsa shtetasi V. C. e ka kanosur me fjalë punonësit e Policisë. Punonjësi i Policisë mori mjekim dhe është jashtë rrezikut për jetën. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë./ZËRI