
TIRANË- Një ngjarje e rëndë mësohet të ketë ndodhur paraditen e sotme pasi një 65-vjeçar ka rënë nga kati i tetë i një pallati në ndërtim në zonën e Kamzës dhe mësohet se ka humbur jetën. Burimet bëjnë me dije se viktima me inicialet H.P, punonte si ndihmës elektricist në pallat, ndërsa dyshohet se shkaku i vdekjes së të moshuarit ka qenë mungesa e sigurisë teknike.
Sakaq, në lidhje me ngjarjen e rëndë, policia ka njoftuar se është vënë në pranga administratori i firmës ndërtuese.
"Në orën 18:00, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 5 arrestuan në flagrancë shtetasin A. M., 61 vjeç, me detyrë administrator i firmës nënkontraktore, pasi rreth orës 10:30, të ditës së sotme, në Paskuqan 1, gjatë punës, ka rënë nga lartësia shtetasi H. P., 64 vjeç (punëtor për punime hidraulike), i cili si pasojë ka humbur jetën" thuhet në njoftimin e policisë.
Ky nuk mbetet rasti i parë i një aksidenti tragjik gjatë orarit të punës. Numri i aksidenteve të tilla gjatë 2025 ka qenë gjithnjë e në rritje, ndërsa kushtet e punës nuk kanë patur përmirësim./Zëri.al