KORÇË- Alti Nallbati, vëllai i deputetit demokrat, Bledion Nallbati, ka lënë qelinë e burgut të Drenovës pas 40 ditësh. Mësohet se Gjykata e Korçës ka vendosur ndryshimin e masës së sigurisë nga "arrest me burg" në "arrest shtëpie" për Nallbatin dhe dy shtetasit e tjerë Marsel Buçin dhe Rajan Çelikun.
Gjykata zbuti masën e sigurisë për 3 të akuzuarit për mbajtjen peng dhe dhunimin e 32-vjeçarit Ilir Topçiu, për shkak të mbledhjes së provave dhe kryerjes së veprimeve hetimore shtesë nga ana e Prokurorisë.
Më datë 4 nëntor, Gjykata e Korçës caktoi masën e sigurisë "arrest me burg" me afat 40 ditë për tre të akuzuarit, Alti Nallbatin, Marsel Buçin dhe Trajan Çelikun për akuzat e “Heqjes së paligjshme të lirisë”, “Plagosjes së lehtë me dashje” dhe “Kanosjes”, të kryera në bashkëpunim.
Ngjarja u raportua mbrëmjen e 31 tetorit, ndërsa mësohet se kishte ndodhur më datë 27 tetor, në Devoll. Alti Nallbati, vëllai i deputetit Bledion Nallbati, Marsel Buci dhe Trajan Çeliku, kanë marrë peng Ilir Topçiu, i cili ndodhej në 'arrest shtëpi' dhe e kanë keqtrajtuar në mjediset e banesës së njërit prej tyre. Policia njoftoi arrestimin e tyre, teksa bëri me dije se ndaj Alti Nallbatit dhe Çelikut rëndon akuza e heqjes së paligjshme të lirisë dhe kanosje, ndërsa ndaj Buçit rëndon edhe akuza e plagosjes së lehtë me dashje.
Kujtojmë se Albi Nallbati, vëllai i deputetit demokrati, Bledion Nallbati, u përfshi edhe në një tjetër incident gjatë fushatës zgjedhore 2025. Incidenti ndodhi mbrëmjen e 3 majit, ku deputeti i PD Bledion Nallbati dhe vëllai i tij, Alti Nallbati u konfliktuan me një shofer kamioni. Shkak i konfliktit u bë një aksident, i cili nuk ndodhi./ZËRI



