TIRANË- Ish-kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Evis Berberi ka kërkuar gjykim të shkurtuar, në seancën që po zhvillohet sot në Gjykatën e Posaçme AntiKorrupsion. Berberi kërkon gjithashtu që t’i kthehen sendet e sekuestruara, përfshirë telefonin, dhe se komunikimet e nxjerra nga pajisjet elektronike të mos përdoren si prova në proces. Kërkesa e Beberit pritet të marrë përgjigje në datën 9 dhjetor, ku do të shpallet dhe vendimi nga ana e GJKKO-së, nëse çështja kalon për gjykim.
Telefoni i Beberit ka shërbyer dhe për akuzën që SPAK ngriti ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku, pasi mes tyre kishte komunikime të vazhdueshme për fiksimin e tenderave.
Berberi ka kundërshtuar edhe më herët akuzat e SPAK për korrupsion dhe pastrim parash duke theksuar se “nuk provohen me prova konkrete”. Ai është nën hetim që prej marsit 2024, kohë kur edhe u arrestua. Sipas Prokurorisë së Posaçme, shtetasi Valter Begaj, administrator i një kompanie, përfitoi tre tendera në kohën kur Berberi ishte Drejtor i Përgjithshëm për Eficencën e Energjisë me vlerë totale 137.4 milionë lekë dhe tre tendera të tjerë, me vlerë 101.8 milionë lekë, kur ai drejtonte ARRSH-në.
Tenderat e përfituar lidhen me konsulenca projektesh që janë fituar me çmim më të ulët nga kompania në të cilën sipas hetimeve rezultoi që Berberi të ishte akoma pjesë.
SPAK ka dërguar për gjykim ish-kreun e ARRSH, Ervis Berberi si dhe 21 persona të tjerë të akuzuar. Berberi akuzohet “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”. /ZËRI



