
TIRANË-Masakra e Dobraçit, ku humbën jetën 4 persona, mes tyre 2 kalimtarë rastësorë dhe “Far-Westi” në Vaun e Dejës, ku gjatë një shkëmbi të shtënash, u tentua të vriten dy vëllezërit Andrea dhe Sandër Prendi do të hetohen nga SPAK si një 1 dosje të vetme. Oranews shkruan se vendimi për bashkimin e dy dosjeve, është marrë fillimisht nga prokuroria e Shkodrës dhe më pas nga SPAK, që tashmë po heton ngjarjet kriminale në një çështje të vetme.
SPAK dhe policia e Shkodrës, kanë ngritur dyshime se në këto dy ngjarje janë përfshirë, Izmir Sakicaj, Samuel Troshani si dhe persona të tjerë që i përkasin aleancës kriminale “Bajri-Bilali”. Izmir Sakica dhe Samuel Troshani të shpallur në kërkim për të shtënat me armë zjarri në Vaun e Dejës, më 23 gusht 2024 dhe masakrën e ndodhur në Dobraç u vetëdorëzuan në policinë e Shkodrës, ku pasi kanë dhënë shpjegime janë lënë sërisht të lirë.
Mjeti tip ‘Land Rover’ i përdorur nga autorët në ngjarjen e Dobraçit ka dalë nga rruga që të çon tek banesa e Astmer Bilalit. Megjithëse kur ka ndodhur ngjarja e masakrës së “Dobraçit”, Astmer Bilali, ndodhej i izoluar në burgun e Reçit, policia ushtroi një kontroll në qelinë e tij në këtë burg. Gjatë kontrollit, Bilalit ju gjet dhe sekuestrua një aparat celular, i cili tashmë është çuar për ekspertim laboratorik në SPAK, me shpresën e gjetjes së një prove.
Masakra e Dobraçit
Në ngjarjen e ndodhur në 30 tetor, Hamza Lici humbi jetën në timon për shkak të një plumbi që mori në zemër, ndërsa makina e tij përplasi një motoçikletë me të cilin udhëtonin çifti Flutura dhe Bashkim Basha. 66-vjeçarja humbi jetën në vend nga përplasja, ndërsa i shoqi ndërroi jetë të dielën në spitalin e Shkodrës. Në mjet bashkë me Licin ishte dhe Arlind Bushati, i cili ndërroi jetë gjithashtu në spital disa orë pas ngjarjes për shkak se kishte marrë një plumb në kokë.
Pikërisht ky person, dyshohet se është Ibrahim Lici, një nga personat më të kërkuar nga Policia e Shtetit, i cili mendohet se ka qenë edhe shënjestra e atentatit. Por prezenca e personit të tretë në atentat ka ngjallur debate të tjera. Si pasojë, 4 punonjës të Policisë së Shtetit fillimisht u vendosën në pranga dhe më pas u lanë në detyrim paraqitje për shkak se akuzohen se kanë shpërdoruar detyrën. Blerim Kurmekaj, Viktor Logu, Julian Sterkaj dhe Marte Martiki, ishin efektivët e parë që shkuan në vendin e ngjarjes por nuk e ndaluan personin e tretë që ndodhej në skenën e krimit duke i dhënë ndihmën e parë Hamza Licit, i cili kishte ndërruar jetë nga të shtënat me armë zjarri.
Çfarë ndodhi mbrëmjen e 23 gushtit në Vaun e Dejës?
Rreth orës 22:00 të mbrëmjes së djeshme një përplasje me armë ndodhi në zonën e Vaut të Dejës, ku shënjestër ishte një mjet “Audi” i blinduar. Personat që ishin në makinë, e braktisën mjetin, ndërkohë që në vendin e ngjarjes u gjetën rreth 30 gëzhoja, të nxjerra nga armë të ndryshme, që për hetuesit dha menjëherë pistën se mes dy grupeve kishte pasur shkëmbim zjarri. Për ngjarjen, policia ka shpallur në kërkim vëllezërit Andrea e Aleksandër Prendi. Mësohet se i përfshirë në ngjarje ka qenë dhe një kushëri i vëllezërve, i cili po ashtu është shpallur në kërkim. Mendohet se njëri prej tyre ka qëlluar nga një motorr me automatik kallashnikov në drejtim të mjetit të blinduar tip audi, ndërsa të tjerët kanë qenë në një mjet tip BMW, që aktualisht është sekuestruar nga Policia.