
GRAMSH-Pas disa ditësh pezullim për shkak të helmimit të ushqimit të kontaminuar me salmonelë, Kopshti Nr.1 në Gramsh ka rifilluar punën që prej ditës së djeshme.
Në kopësht janë rikthyer vetëm fëmijët që kanë rezultuar negativë nga analizat, ndërsa institucioni funksionon pa shërbim guzhine, pasi dreka është pezulluar. 17 fëmijë dhe anëtarë të stafit rezultuan pozitivë me bakterin ‘Salmonella Enteritidis’, ndërsa për 6 raste të tjera priten ende përgjigjet, sipas njoftimit të fundit të AKU-së.
Helmimi i fëmijëve në kopshtin publik nr.1 në Gramsh erdhi për shkak të vezëve që ata kanë konsumuar. Origjina e këtyre vezëve nuk dihet, por analizat e kryera e ISUV tregojnë se kanë prezencë të bakterit Salmonella spp. ZËRI ka raportuar më herët se kompania që furnizon kopshtin në fjalë me ushqime është “Nelsa Sh.p.k.”, e zotëruar nga Elsa Kamberi Balla. Për rastin kanë nisur hetimet nga Prokuroria e rrethit të Elbasanit.
Helmimi i fëmijëve u raportua katër ditë me vonesë. Fëmijët ishin paraqitur me të vjella, diarre, temperaturë dhe ethe në spitalin e Gramshit, por vetëm katër ditë më vonë, ky lajm pa dritën e publikimit./ZËRI