TIRANË- Këtë të hënë, që prej orës 10:00, në Kuvendin e Shqipërisë po zhvillohet mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme ndaj zv.kryeministres dhe njëkohësisht ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku.
Mbledhja vjen pasi në 6 shkurt Gjykata Kushtetuese nuk konsideroi faktin që një ministër ka imunitet njësoj si deputeti dhe nuk mund të pezullohet. Në unanim 8 gjyqtarët u shprehën se ministri nuk hyn në kategorinë e personave të zgjedhur, siç janë deputetët dhe imuniteti i ministrit nuk përfshin pezullimin.
Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese, i marrë me ndarjen e votave 4-4, la në fuqi vendimin e Gjykatës së Lartë për pezullimin e Ballukut nga detyra, duke konfirmuar se është e domosdoshme që ajo të mos ushtrojë detyrën, ndërkohë që vazhdon hetimi.
Nga ana tjetër Komisioni Evropian në një prononcim të fundit, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, u shpreh se Kuvendi duhet të adresojë pa vonesë kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit të zv.Kryeministres, Belinda Balluku.
Në kërkesën drejtuar Kuvendit, Prokuroria e Posaçme informon se Belinda Balluku po hetohet në total për 8 procedura prokurorimi. Balluku me vartësit e saj akuzohen se kanë paracaktuar fituesit në dy tenderë me vlerë 210 mln euro, atë të Tunelit të Llogarasë 190 mln euro dhe loti 4 i Unazës së Madhe 20 mln euro. Ndërkohë, nga relacioni i zbardhur u zbulua se SPAK kërkon arrestimin e Ballukut për shkak se situata penale është rënduar dhe zv.kryeministrja dyshohet për manipulim në të paktën 11 tendera dhe rrezikon që të kryejë krime më të rënda për shkak të personalitetit të saj./ZËRI


