TIRANË- Pas një mbledhjeje maratonë, për më shumë se 10 orë, Gjykata Kushtetuese vendosi të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit për pezullimin e zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Më një votim 4 me 4, trupa gjykuese ka rrëzuar kërkesën e qeverisë dhe konfirmon masat e marra nga GJKKO, duke e mbajtur Ballukun jashtë detyrës.

Në seancën e shkurtit, Gjykata Kushtetuese shqyrtoi ankimin e kryeministrit Edi Rama lidhur me vendimin për pezullimin e Ballukut. Qeveria kërkon që Gjykata të interpretojë nenin 103 të Kushtetutës, sipas të cilit anëtarët e qeverisë gëzojnë imunitetin e deputetit, dhe të vendosë nëse Gjykata e Posaçme mund të pezullojë një ministër pa autorizim nga Kryeministri.
Sipas qeverisë, SPAK dhe Gjykata e Posaçme kanë ndërhyrë në kompetencat e kryeministrit, si dhe kanë paralizuar vendimmarrjen dhe nxjerrjen e akteve në Ministrinë e Energjitikës dhe Infrastrukturë. Dy prokurorët e SPAK, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko, kundërshtuan pretendimet e qeverisë, duke deklaruar se nuk ka konflikt kompetencash mes pushteteve dhe se pezullimi i një ministri nuk është kompetencë e Kryeministrit.
Vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese vjen në një moment kur SPAK ka dorëzuar në Kuvend kërkesën për heqjen e imunitetit të Ballukut, duke i hapur rrugë edhe arrestimit.
Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit vendosi për pezullim nga detyra të zëvendës kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe ndalim daljeje jashtë vendit. Gjykata arsyetoi se vendimi erdhi pasi Balluku mund të prishë provat dhe të intimidojë dëshmitarët, në sajë të detyrës që mban. Balluku me vartësit e saj akuzohen se kanë paracaktuar fituesit në dy tenderë me vlerë 210 mln euro, atë të Tunelit të Llogarasë 190 mln euro dhe loti 4 i Unazës së Madhe 20 mln euro. Ndërkohë, Balluku është vënë në hetim edhe për të 7 lotet e Unazës së Madhe, një projekt për të cilin janë prokuruar 45.9 miliardë lekë (450 milion euro)./ZËRI