
FUSHË KRUJË-Një i burgosur nga burgu i Fushë-Krujës ka denoncuar një rast presioni ndaj të burgosurve për të votuar për kandidatin e Partisë Socialiste, Arkend Ballën, në zgjedhjet e ardhshme. Në një mesazh për JOQ, ai akuzon drejtorin e burgut, Apostol Luca, se po ushtron presione në këmbim të votës.
Sipas ti jdisa ditë para zgjedhjeve, të burgosurve do t’u jepen urdhra se cilin kandidat do të votojnë, dhe ata janë të detyruar t’i ndjekin këto urdhra ose përballen me pasoja të rënda. Në mesazhin e tij i burgosuri thekson se nuk ka pasur asnjë mbështetje nga autoritetet shtetërore, dhe pyet se si mund të ketë shtet dhe sistem drejtësie kur kjo po ndodh nën hundën e institucioneve të vendit.
“Pershendetje. Jam nji i burgosur ktu ne burgun e Fushe Krujes. Neve qe jemi te burgosur na bejn presion per te votu kandidatin e PS e kto presione vijn nga drejtori burgut Apostol Luca. Po na thone qe diten e ejte tre dite para zgjedhjeve do tju vije me urdher se cilin kandidat do te votoni dhe ju duhet te votoni ate qe do na thone ose ndrysh na marrin ne qaf. Un nuk e di a ka shtet a ka SPAK a çfarë ka ktu sikur jemi ne Kolumbi edhe privat po ta ket ky drejtori burgut nuk bahet kshu. Une jam ne dispozicion te prokurorise se kush do na beje presin per te votu jam i gatshem te bej kallzim edhe per gjithcka do tju shkruaj prap. Per Arkend Ballen i duan votat,"-denoncon i burgosuri.
Ngelet për tu parë nëse do të nisë një hetim nga institucionet e posaçme, ndërsa ky nuk është rasti i parë i fushatës elektorale në ambjentet e burgjeve. Një ditë më parë (6 maj), Prokuroria e Elbasanit ka regjistruar një procedim penal për “shpërdorimi i autoritetit policor”, pas një denoncimi publik të bërë në rrjetet sociale nga sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka. Ky i fundit ka denoncuar me foto dhe emra disa prej punonjësve të policisë në burgun e Peqinit me pretendimin se po bëjnë fushatë për kandidatë të Partisë Socialiste./ZËRI