FIER-Gjashtë të arrestuarit në kuadër të operacionit policor të koduar XUEX, për goditjen e skemave piramidale online janë paraqitur në Gjykatën e Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Fier. Gjykata ka caktuar masat e sigurisë për 6 të arrestuarit, ku 4 prej tyre janë lënë në burg, përkatësisht Arbër Çela, Marius Kodra, Brunilda Ndini dhe Brunilda Todi. Ndërsa ndaj Emanuel Taullau dhe Flavio Mukaj u caktua masa detyrim paraqitje. Ndërkohë, në kërkim vijojnë të jenë edhe bashkëshortët Erledio dhe Alma Shebeku, të dyshuar si pjesë e skemës mashtruese.
Operacioni u shtri në Dibër, Fier, Lushnjë, Divjakë Tiranë e Gramsh, qytete me numrin më të lartë të përdoruesve. Baza e mashtrimit online ndodhej në Lushnjë, në pronësi të Arbër Çelës, i njohur si 'Profesori'. Ndërkohë në Divjakë në krye të saj qëndronin dy gra Brunilda Todi dhe Brunilda Ndini. Të arrestuarit kishin rol kyç në mashtrimin e qytetarëve. Konkretisht në postin e agjentit ata synonin anëtarët e rinj dhe i orinetonin përmes grupeve në aplikacione si Telegram.
Agjentët u kërkonte qytetarëve të sillnin të paktën 5 persona të tjerë në grup, për të rritur përfitimet e tyre. Sa më shumë persona të sillje dhe sa më e madhe vlera e investuar, aq më shumë të ardhura të premtuara, por e gjitha ishte një mashtrim, ku humbnin kursimet e tyre. Investimi bëhej në kriptomonedha si USDT dhe TRON dhe qytetarët shpresonin të shumëfishonin fitimet e tyre. Kthimi i parave nga dollarë fizikë në një portofol dixhital me ‘ustd’ raportohet së bëhet në pikavt e këmbimit valutor edhe pse në Republikën e Shqipërisë nuk ka asnjë pikë këmbimi valutore të licensuar për të kryer këtë aktivitet në fushën e kriptomonedhave.
Dy platformat TXEX dhe XEUX paraqiten si aplikacione investimi në kriptovaluta dhe shpërndahen në disa rrjete sociale, ku më kryesori është në Telegram. Numri i qytetarëve që kanë shkarkuar këtë platformë dhe kanë investuar para raportohet të jetë gati 6 mijë. ZËRI u interesua nga afër ku banorët e Divjakës treguan me detaje se si investojnë lekët dhe rrugën që ndjekin nga regjistrimi në platformë deri tek mënyra si i tërheqin lekët. Ndërkohë, organizatorët e këtij aktiviteti kriminal vijojnë të jenë nën hetim nga policia shqiptare dhe asnjë prej tyre nuk është arrestuar./ZËRI



