TIRANË-Disa buldozerë u filmuan nga turistët duke gërmuar mbi rrënoja antike në Parkun e Finiqit. Turistët pretenduan se mund të ishin kërkues thesaresh që po shkatërronin sitin kulturor. Gërmimet hapën diskutim, ku ministri Blendi Gonxhe hodhi poshtë pretendimet e turistëve, duke theksuar se në Finiq po zhvillohen punime të miratuara restaurimi, të cilat po kryhen sipas standardeve dhe procedurave ligjore.
"Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit informon publikun se lajmet e qarkulluara mbi praninë e personave të panjohur që po kryejnë gërmime të paligjshme në Parkun Arkeologjik të Finiqit nuk janë të vërteta dhe përbëjnë keqinformim mbi një proces tërësisht të ligjshëm restaurimi dhe konsolidimi. Aktualisht, në Parkun Arkeologjik të Finiqit po zhvillohen punimet e miratuara dhe të mbikëqyrura nga institucionet përgjegjëse të trashëgimisë kulturore, si pjesë e projektit “Restaurimi dhe konsolidimi i Murit të Bastionit në Parkun Arkeologjik të Finiqit”, të cilat po kryhen nga subjekti kontraktues “JOGI” sh.p.k., në bazë të Vendimit nr. 206, datë 09.04.2021, i rimiratuar me Vendimin nr. 398, datë 25.07.2025, të Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale. Pas disa vitesh pritje, ky projekt i rëndësishëm po merr më në fund trajtën e zbatimit konkret, duke shënuar një hap të domosdoshëm në ruajtjen dhe valorizimin e një prej monumenteve më përfaqësuese të antikitetit në jug të vendit. Ndërhyrjet synojnë stabilizimin afatgjatë të strukturës, ruajtjen e autenticitetit të murit mbrojtës dhe përmirësimin e sigurisë së vizitorëve, duke i hapur rrugë një përvoje më cilësore kulturore dhe turistike në Finiq,'- shprehej Gonxhe në reagim.
Ndërkohë, Bashkia e Finiqit dhe instancat e tjera vendore deklaruan për Top Channel se nuk kishin asnjë dijeni për ndonjë ndërhyrje të tillë të nisur në parkun antik. Nga ana tjetër Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore ka reaguar ashpër pas pamjeve ku buldozerë u filmuan duke gërmuar mbi rrënoja antike në Finiq. Në reagimin e Forumit thuhet se në website-n ku botohen të gjitha vendimet e autorizuara nga Ministria e Kulturës nuk ka asnjë njoftim për ndërhyrje në Park nga ana e këtij institucioni. Sipas Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore në asnjë sit arkeologjik të kësaj rëndësie nuk mund të futen mjete të tilla të cilat dëmtojnë rëndë shtresat kulturore dhe arkeologjike.
REAGIMI:
Si pergjigjia per interesin e larte te mediave mbi Ceshtjen e Parkut te Finiqit, Ministria e Kultures ka leshuar nje deklarate shtypi duke treguar se punimet me eskavator ne Akropolin e Finiqit jane te autorizuara nga ajo vete. Nderkohe media prezente ne sitin arkeologjik nuk gjeti asnje arkeolog apo restaurator. Nderkohe sipas Ministrise se Kultures keto punime kryehen nga Firma "JOGI shpk". Me nje kerkime shume te thjeshte ne faqet e administrates mund te vertetohet se firma "JOGI Shpk" nuk ka asnje pervoje te ngjashme ne restaurimin e Mureve Antike te nje rendesie nderkombetare si Finiqi. E dyta keto punime te autorizuara nga Ministria e Kultures nuk jane te paraqitura ne sitin e IKTK. website ku botohen te gjitha vendimet e ketij Institucione. E treta ne asnje sit arkeologjik te kesaj rendesie nuk mund te futen mjete te tilla te cilat demtojne rende shtresat kulturore dhe arkeologjike. E fundit, a ka mbetur kush ne Ministrine e Kultures qe te kuptoje nga keto koncepte teknike?