ITALI- Një operacion i madh antidrogë është zhvilluar nga karabinierët në Itali, ku janë goditur 3 grupe që operonin në trafikun e drogës. Operacioni, i koordinuar nga Drejtoria Anti-Mafia e Qarkut të Firences (DDA) dhe që zgjati nga viti 2020 deri në vitin 2023, çoi në lëshimin e 12 urdhrave të paraburgimit dhe 20 kontrolleve, aksion për të cilin dje edhe Policia e Shtetit publikoi informacionet e operacionit “Fingerprint” (Gjurma e gishtit).
Në Portëz të Fierit u kap një nga anëtarët e organizatës, i kërkuar nga Italia si pjesë e dosjes. Ai është Edi Hoxha, allias Edison Hoxha, 41 vjeç, i cili dyshohet se drejtonte njërin prej grupeve më të rëndësishme. Në mesin e personave që janë vënë në pranga është edhe një grua, ndërsa organizata sipas hetimeve përbëhej nga 3 celula, ku në krye qëndronin shqiptarët.
Operacioni u zhvillua njëkohësisht në 10 provinca italiane, me mbështetjen e mbi 100 efektivëve dhe njësive me qen antidrogë. Hetimi, i cili filloi në Mugello, zbuloi operacionet e tre grupeve të dallueshme kriminale me pasoja transnacionale.
Gjatë hetimit, u sekuestruan gjithsej rreth 2 kg kokainë, 22 kg marijuanë dhe gjysmë kilogrami hashash. Gjithashtu, katër persona të tjerë u arrestuan gjatë këtij operacioni.
Tre grupet dhe biznesi i tyre i paligjshëm
Sipas rindërtimeve të hetuesve, organizatat vepronin në fronte të shumëfishta:
-Një grup shtetasish shqiptarë specializoheshin në importimin e kokainës nga Holanda dhe më pas shpërndarjen e saj me shumicë në Itali.
-Një tjetër celulë kriminale ishte e përfshirë në eksportimin e kokainës nga Firence në Zvicër, ku ajo shiste me pakicë së bashku me hashashin dhe marihuanën. Trafikimi i drogës kryhej si në kantonin e Zyrihut ashtu edhe në disa provinca të Toskanës.
-Organizata e dytë, e lindur nga një degë e së parës, përbëhej tërësisht nga shqiptarë, përfshirë një grua, dhe menaxhonte importimin e sasive të mëdha të kanabisit nga Zvicra për tregun italian.
Operacioni i sotëm rezultoi në arrestimin e 12 personave, njëri prej të cilëve ndodhej në Shqipëri falë një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar. Arrestimet dhe kontrollet e mbetura u kryen në Firence dhe nëntë provinca të tjera italiane.