TIRANË- Melison Nela u la në burg nga Gjykata e Durrësit, pasi u arrestua 3 ditë më parë me armë dhe fishekë në makinën e tij. Gjykata e Durrësit ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për 47-vjeçarin Melison Nela, i cili akuzohet për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve”.
Sipas versionit të policisë, 47-vjeçari ishte nisur drejt hoteli 'Flar' në Malin e Robit për t'u përballur me personat që i kishin dhunuar nipin. Por, Melison Nela ka dhënë një tjetër version për ngjarjen e 29 gushtit.
Sipas dëshmisë së siguruar nga gazetari Elton Qyno, 47-vjeçari ka pretenduar se nuk ka pasur për qëllim të vriste dy vëllezërit Florian dhe Arbërj Habilaj, si dhe Enolt Dragotin. Madje, ditën e ngjarjes, ai pretendon se është arrestur nga policia në momentin që kur kishte shkuar për të hedhur armën dhe 3 karikatoret në përroin e “Leshniqës” në Kavajë.
“...duke mos u njohur mirë ligjin, pata frikë për pasojat që mund të kisha dhe pa e menduar, u nisa për ta hedhur armën në përrua...”- mësohet të ketë deklaruar Melison Nela.
Ndërkohë, ai ka dëshmuar se një ditë para arrestimit, kishte bërë kallëzim penal lidhur me situatën e dhunimit të nipit të tij, Genti Nela.
Megjithatë, pretendimet e tij nuk kanë bindur gjykatën dhe gjyqtari i Durrësit, Elvis Sulejmani, vendosi masën e sigurisë “Arrest në burg” ndaj 47-vjeçarit.
Rrëfimi i plotë ku Nela sqaron situatën pas kapjes nga ana e policisë së Kavajës.
Përgjigje: Dua të jap shpjegime në prezencë të avokatit tim, ku deklaroj se përsa i përket armës së gjetur sot më 28 Gusht 2026 në automjetin tim, tip “Golf 4” me targë AA093ID, rreth orës 18:30, isha duke lëvizur në rrugën “Josif Buda” për në drejtim të përroit të “Leshniqes”, Kavajë, ku do të hidhja armën tip “Kallashnikov”, me 3 krëhëra, me fishekë pasi e kisha në shtëpi qysh prej vitit 1997.Këtë armë nuk doja ta mbaja më në ambjentet e baneses sime. Deklaroj se unë banoj i vetëm në banesë, pasi jam i divorcuar dhe familjarët jetojnë në Itali dhe kisha frikë se mos futej ndonjë person në banesë dhe e merrte armën e mësipërme.
Pyetje: Përse nuk lajmëruat shërbimet e policisë për të dorëzuar armën, me të cilën jeni kapur ditën e sotme në flagrancë?
Përgjigje: Duke mos u njohur mirë ligjin pata frikë për pasojat që mund të kisha dhe pa e menduar, u nisa për ta dërguar në përrua.
Pyetje: A keni patur konflikt me dikë gjatë kësaj kohe?
Përgjigje: Deklaroj se kam bërë një kallëzim ditën e djeshme pasi nipi im, ka patur një konflikt me disa shtetas për të cilën unë nuk kam lidhje.
Pyetje: Keni patur qëllim që të përdornit armën në lidhje me konfliktin që ka patur në datë 27 Gusht 2026, nipi juaj Gentian Nela me shtetasit Florin Habilaj, Arbër Habilaj dhe Enolt Dragoti?
Përgjigje: Absolutisht që jo. Madje ky ishte dhe një nga shkaqet që ta zhdukja si armë nga banesa ime. Nese do kisha qëllime të tilla do ta përdorja ditën e djeshme dhe jo të vija të bëja kallëzim në polici për konfliktin që kishte nipi.
Pyetje: Ku dhe kur e keni gjetur armën dhe municionin e mësipërm?
Përgjigje: Siç deklarova dhe më lart e kam patur në banesën time qysh prej vitit 1997.
Pyetje: Keni gjë tjetër për të deklaruar?
Përgjigje: Ndihem i penduar se nuk duhet ta kisha marrë armën aty.
Rasti u raportua mesditën e 29 gushtit kur Melison Nela, xhaxhi i 18-vjeçarit Genti Nela u arrestua në flagrancë teksa po shkonte i armatosur drejt hotelit. Sipas akuzës, 18-vjeçari kamarier u dhunua pasi kërkoi pagën për punën e kryer në hotel. Dy të arrestuarit akuzohen nga Prokuroria për “plagosje të rëndë me dashje”. Ndërkohë pas vendimit të gjykatës, avokati i të arrestuarve kundërshtoi akuzën dhe e cilësoi ngjarjen si një sherr të zakonshëm. Sipas tij, ka qenë 18-vjeçari ai që i ka provokuar vëllezërit Habilaj./ZËRI