TIRANË- Policia ka arrestuar autorin e grabitjes në një pikë të këmbimit valutor në qendrën “Concord”. Mësohet se në pranga ka rënë 42-vjeçari, Luan Maçi. Maçi nën kërcënimin e armës së zjarrit grabiti 3 milionë lekë mëngjesin e sotëm në pikën e exchange, pasi ka marrë paratë, ai është larguar i qetë, teksa është filmuar nga kamerat e sigurisë brenda qendrës tregtare.
“Vodhi rreth 3 milionë lekë, në një dyqan këmbimi valutor, në një qendër tregtare, duke kanosur punonjësen, me armë zjarri pistoletë, identifikohet, lokalizohet dhe arrestohet 42-vjeçari. 42-vjeçari, me precedent penal për të njëjtën veprimtari kriminale. Sekuestrohen arma e zjarrit pistoletë, një pjesë e shumës së parave të vjedhura dhe veshja e përdorur gjatë kryerjes së vjedhjes. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, menjëherë pas marrjes së njoftimit për një rast vjedhjeje, në rrugën “5 Maji”, kanë organizuar në drejtimin e Prokurorisë, punën për identifikimin dhe kapjen e autorit. Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, u bë identifikimi, kapja dhe arrestimi i shtetasit:
-L. M., 42 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas dyshohet se duke kanosur punonjësen, me arme zjarri pistoletë, ka vjedhur rreth 3 milionë lekë, në një dyqan këmbimi valutor, brenda një qendre tregtare, në rrugën “5 Maji”. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, njofton Policia./ZËRI