TIRANË-Disa ditë pas alarmit se qumështi për fëmijë i prodhuar nga Nestlé rezultoi i kontaminuar me toksinën cereulide, Mbretëria e Bashkuar foli me shifra zyrtare. Agjencia e Sigurisë Shëndetësore e Mbretërisë së Bashkuar deklaroi se 36 foshnja u sëmurën pasi konsumuan formulën e kontaminuar, ndërsa në Francë ka nisur hetimi për humbjen e jetës së dy foshnjave. I njëjti produkt, i importuar nga Rossmann & Lala, është tregtuar edhe në Shqipëri, konkretisht në rrjetin e dyqaneve të këtij subjekti.
Sipas burimeve zyrtare për Oranews nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, sasia totale e qumështit të importuar është 1,878 copë, nga të cilat 462 copë janë rieksportuar në Republikën e Kosovës. Në Shqipëri rezulton se janë bllokuar 836 kuti me qumësht. Sasia e qumështit të kontaminuar e shitur është 580 kuti, secila me peshë 800 gram. Ky alarm nga Bashkimi Evropian zbuloi një problematikë në subjektin Rossmann & Lala në Shqipëri.
Pas kontrolleve të kryera, inspektorët e AKU-së e kanë gjobitur subjektin për dy shkelje: mangësi në sistemin e gjurmueshmërisë dhe mospërmbushje të përgjegjësive të Operatorëve të Biznesit Ushqimor (OBU).
Mungesa e gjurmueshmërisë cenon rëndë sigurinë ushqimore dhe, në këtë rast, bëhet fjalë për një produkt delikat si ushqimi për foshnja. E thënë më thjesht, nëse një produkt rezulton i pasigurt (p.sh. i kontaminuar apo i skaduar), autoritetet nuk mund ta tërheqin shpejt nga tregu, sepse:
• Nuk dihet në cilat supermarkete ka përfunduar.
• Nuk dihet sa njësi janë shitur.
• Nuk mund të bëhet tërheqje e saktë dhe e menjëhershme.
Kujtojmë se Autoriteti Kombëtar i Ushqimit njoftoi për tërheqjen nga tregu të qumështit formulë për foshnja, “APTAMIL 1 PRONUTRA 800 gram Advanced” pas një alarmi të ardhur nga Sistemi Evropian i Sigurisë Ushqimore, RASFF. ë total janë futur në Shqipëri 648 njësi të këtij qumështi formulë, nga të cilat 276 kuti janë shpërndarë në tregun vendas dhe po kryhet tërheqja e tyre, ndërsa 372 njësi janë eksportuar në Kosovë.
ZËRI ishte media e parë në Shqipëri që denoncoi në dokumentarin “Qumështi i Ndaluar”, fenomenin e përhapur masivisht në Shqipëri të promovimit të qumështit formulë. Rreth dy vite pas këtij denoncimi, shqetësimet e ngritura nga ZËRI u reflektuan në një rast konkret: tërheqjen nga tregu të qumështit formulë “NAN 1 OPTIPRO”, pasi u konstatua prania e bakterit cereulide, i cili shkakton probleme serioze gastrointestinale tek foshnjat dhe sot edhe me tërheqjen e “Aptamil AR2”. Rastet tregojnë se rreziku nuk është teorik, por real. Produktet që promovohen gjerësisht në rrjete sociale dhe rekomandohen shpesh pa analiza të thelluara dhe pa udhëzimin e specialistëve mund të përbëjnë një kërcënim për shëndetin e fëmijëve./ZËRI
