Aktualitet

“Hawala” FURISHËM në Shqipëri! SPAK godet rrjetin e trafikut të drogës, si i "pastronin" paratë

Trafiku i drogës bëhej në Zvicër por edhe në disa vende të tjera. Kalimi i parave përmes këtij sistemi ka nisur të paktën që prej vitit 2020 e deri më sot.

k.m.
“Hawala” FURISHËM në Shqipëri! SPAK godet rrjetin e
SPAK

TIRANË- SPAK ka zbuluar një tjetër sistem "Hawala" që vepronte mes Shqipërisë dhe Zvicrës, duke vendosur në pranga 3 persona. Në një njoftim të bërë nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, zbulohet se disa persona të arrestuar, të identifikuar vetëm me inicialet; E.F, B.F dhe P.K, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, por edhe me disa persona me bazë në Luzern të Zvicrës pastronin paratë e drogës me anë të sistemit "Hawala". SPAK thotë se përmes këtij sistemi kanë transferuar dhe kanë transportuar nga Zvicra për në Shqipëri, sasi të konsiderueshme të parave që kanë pasur si burim të origjinës së tyre trafikun e drogës, por nuk kanë bërë me dije një shifër konkrete për sa para bëhet fjalë. Trafiku i drogës bëhej në Zvicër por edhe në disa vende të tjera. Kalimi i parave përmes këtij sistemi ka nisur të paktën që prej vitit 2020 e deri më sot. Por përmendet se shumat e parave që kanë ardhur në vendin tonë mund të kenë kapur miliona euro. 

Personat e interesuar për transferimin e parave, pra dërguesit e parave, i dorëzonin kartmonedhat tek bashkëpunëtorët e grupit kriminal me bazë në Zvicër. Pasi dorëzonin paratë, i informuar për emrin e personit që do të ishte pritësi i parave në Tiranë.

"Bashkëpunëtorët e grupit kriminal me banim në Zvicër menjëherë sapo kryhej depozitimi i parave njoftonin bashkëpunëtorët e tyre në Tiranë, personin nën hetim E.F, i cili është edhe drejtuesi i këtij grupi kriminal, për shumën e depozituar të parave dhe emrin e personit i cili ishte pritësi i parave në Tiranë. Më pas, personi nën hetim E.F, në bashkëpunim me personat nën hetim B.F dhe P.K, dorëzonin sasinë e njëjtë të parave që ishtë depozituar te bashkëpunëtorët e tyre në Zvicër, tek personat që ishin pritësit e shumave në Tiranë,"-bën me dije SPAK.

Në këtë mënyrë mundësohej transferimi i parave, shumë shpejt, por edhe pa qenë e nevojshme që të kryhej transportimi i menjëhershëm fizik i parave nga Zvicra në Shqipëri, duke e bërë të vështirë që grupi të zbulohej nga agjensitë ligjzbatuese. Por po ashtu nga SPAK janë zbuluar edhe disa rrugë, si psh: zyra të këmbimit valutor, zyra të transferimit të parave dhe agjenci turistike, kështu e kanë fshehur qëllimin e vërtetë. Vlera që merrnin nga personat që merreshin me transportin e parave ishte 6% e shumës së parave që "kalohej" nga një vend në tjetrin. Më pas, kjo shumë, pra 6%, ndahej në mënyrë të barabartë mes E.F. dhe bashkëpunëtorëve në Zvicër. Po ashtu, SPAK njofton se hetimet për personat e lartpërmendur ende nuk kanë përfunduar dhe vijojnë për të mësuar fakte te tjera penale. 

Më parë, Prokuroria e Posaçme kishte zbuluar lidhjet e "Hawala"  me grupin e Ervin Matës dhe Eralb Breçanit, që dyshohet se kanë trafikuar sasi të mëdha kokaine nga vendet e Amerikës Latine në Europë, duke fituar miliona euro.

SHPJEGIMI I HAWALA-s: 

Hawala, është një term me origjinë arabe, që nënkupton transferim ose besim. Ajo nënkupton një metodë joformale të transferimit të parave pa i lëvizur ato fizikisht nga një shtet në tjetrin. Është një metodë që ka në bazë persona të ndryshëm që funksionojnë si huadhënës, dhe është një taktikë e përdorur gjerësisht në Lindjen e Mesme dhe Afrikë, ndërkohë që në Dubai konsiderohet një transfertë e ligjshme, edhe pse vendet perëndimore kanë mbajtur të tjera qëndrime.

Historia e Hawala-s

Sistemi hawala u zhvillua për herë të parë në Indi gjatë shekullit të 8- të. Hawala u ofroi përdoruesve të saj një sistem alternativ të kryerjes së transfertave të fondeve përtej kufijve gjeografikë në vend të metodës tradicionale të përdorimit të transfertave bankare.

Kuptimi i Hawala-s

Rrjeti që dyshohet se është përdorur fillimisht nga personat për të dërguar para te të afërmit e tyre, tashmë duket se është shndërruar në një mekanizëm në dorën e trafikantëve, të cilit lëvizin para pa lënë gjurmë. Për shembull, Amir jeton dhe punon në New York City dhe dëshiron t'i dërgojë 1000 dollarë kushëririt të tij Ikbal në Pakistan. Amir vendos të vizitojë një tregtar hawala, Mohammad, në Nju Jork dhe i jep atij detajet e transaksionit, i cili përfshin emrin e kushëririt të tij, qytetin e vendbanimit dhe një fjalëkalim. Amiri gjithashtu bie në kontakt me Ikbalin për t'i dhënë atij edhe fjalëkalimin. Muhamedi më pas kontakton Shirinin, një tregtar Hawala në qytetin e Ikbalit, përmes listës së tij të kontakteve dhe i kërkon atij të takohet me Ikbalin për t'i dhënë 1000 dollarët e Amirit.

Shirini dhe Ikbali takohen dhe ai i merr paratë pasi thotë saktë fjalëkalimin që mori nga kushëriri i tij Amiri. Shirin i transferon 1000 dollarë Ikbalit menjëherë nga llogaria e tij dhe tani ajo shumë i detyrohet Mohammad në Nju Jork. Kjo procedurë kërkon një kohë që varet nga disa orë deri në disa ditë, në varësi dhe të shumave që transferohen mes personave. Kjo e bën të gjithë procesin shumë më të shpejtë se transfertat bankare, por edhe shumë më të vështirë për të bërë gjurmimin e tyre.

NJOFTIMI I SPAK: 

SPAK zbulon dhe godet një rrjet kriminal të përfshirë në trafik droge dhe pastrim parash, përmes sistemit “Haëala”

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me shërbimet e policisë gjyqësore të Drejtorisë së Policisë së Shtetit, ka zhvilluar hetime në kuadër të procedimit penal nr.49/3 viti 2023, për veprat penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”, “Trafik i narkotikëve”, “Pastrim i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave nga grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 28/4, 283/1, 283/a, 287, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal.

Nga veprimet hetimore të kryera gjatë hetimeve paraprake dhe ato të kryera nga autoritetet e drejtësisë zvicerane, janë mbledhur provat e nevojshme, të cilat kanë provuar faktin se personat nën hetim E.F, B.F dhe P.K, në bashkëpunim me njëri tjetrin, si dhe në bashkëpunim me disa persona të tjerë që janë me banim në Luzern, Zvicër, në formën e grupit të strukturuar kriminal, kanë organizuar dhe kanë bërë të mundur funksionimin e një sistemi informal të transferimit të parave. Përmes këtij sistemi kanë transferuar dhe kanë transportuar nga Zvicra për në Shqipëri, sasi të konsiderueshme të parave që kanë pasur si burim të origjinës së tyre aktivitetet e trafikimit dhe të tregtimit të lëndëve narkotike në territorin e Zvicrës apo në vende të tjera.

Ky sistem informal i transferimit të parave, i njohur me emërtimin “Haëala”, iu ka mundësuar personave nën hetim dhe personave të tjerë të përfshirë në aktivitetet kriminale, të transferonin në mënyrë të shpejtë, shuma monetare nga Zvicra në Shqipëri, për një periudhë disa vjeçare, të paktën prej vitit 2020 dhe në vazhdim.

Personat e interesuar për transferimin e parave (dërguesit e parave) dorëzonin paratë që kishin origjinë kriminale tek bashkëpunëtorët e grupit kriminal me banim në Zvicër, duke i informuar ata për emrin e personit që ishte pritësi i shumave të parave në Tiranë.

Bashkëpunëtorët e grupit kriminal me banim në Zvicër menjëherë sapo kryhej depozitimi i parave njoftonin bashkëpunëtorët e tyre në Tiranë, personin nën hetim E.F, i cili është edhe drejtuesi i këtij grupi kriminal, për shumën e depozituar të parave dhe emrin e personit i cili ishte pritësi i parave në Tiranë. Më pas, personi nën hetim E.F, në bashkëpunim me personat nën hetim B.F dhe P.K, dorëzonin sasinë e njëjtë të parave që ishtë depozituar te bashkëpunëtorët e tyre në Zvicër, tek personat që ishin pritësit e shumave në Tiranë.

Në këtë mënyrë mundësohej transferimi i parave në një kohë shumë të shpejtë, pa qënë e nevojshme që të kryhej transportimi i menjëhershëm fizik i parave nga Zvicra në Shqipëri, si dhe njëkohësisht bëhej e pamundur për agjencitë e zbatimit të ligjit, rregjistrimi i transfertave të parave, identifikimi i personave dërgues dhe pritës të parave, si dhe verifikimi i burimit të parave që transferoheshin.

Hetimet kanë treguar se ky sistem i transferimit të parave është përdorur nga dhjetra persona, se depozitimet e shumave monetare në Zvicër janë kryer në qindra raste dhe se shumat monetare të transferuar janë në miliona euro. Vijojnë veprimet hetimore për llogaritjen e vlerës së plotë të shumave monetare që janë transferuar.

Për të realizuar këtë veprimtari kriminale, personat nën hetim në Shqipëri dhe bashkëpunëtorët e tyre në Zvicër, kanë përdorur zyra të këmbimit valutor, zyra të transferimit të parave dhe agjenci turistike, për të fshehur qëllimin e vërtetë të veprimtarisë së tyre, pasi në të vërtetë këto aktivitete janë përdorur për të depozituar sasitë e parave në Zvicër dhe për të dorëzuar dhe për të shpërndarë sasitë e parave në Shqipëri.

Qëllimi i kësaj veprimtarie nga grupi i strukturuar kriminal ka qënë realizimi i fitimeve, ku vlera e përfitimit monetare që përfitohej nga personat nën hetim ishte 6% e shumës së parave që transferohej, që ndahej më pas në mënyrë të barabartë mes personit nën hetim E.F dhe bashkëpunëtorëve në Zvicër.

Krahas veprimtarisë kriminale të mësipërme, personat nën hetim E.F, B.F dhe P.K kanë realizuar edhe aktivitetin e tregtimit të lëndëve narkotike në disa Kantone në Zvicër, duke përdorur persona të tjerë si shpërndarës të lëndëve narkotike në sasi më të vogla, si dhe duke siguruar furnizimin e tyre me lëndë narkotike.

Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.68 datë 14.07.2025 ka vendosur:

Caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg”, ndaj personit nën hetim E.F, e parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, i dyshuar për veprat penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”, “Pastrim i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave nga grup i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 28/4, 283/1, 287/1 shkronjat (a), (b) dhe (ç), 333/a, paragrafi (1) dhe 334/1 të Kodit Penal.
Caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg” ndaj personit nën hetim B.F, e parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, i dyshuar për veprat penale “Prodhim dhe shitja e narkotikëve”, “Pastrim i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave nga grup i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 28/4, 283/1, 287/1 shkronjat (a), (b) dhe (ç), 333/a, paragrafi (2) dhe 334/1 të Kodit Penal.
Caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg” ndaj personit nën hetim P.K, e parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, i dyshuar për veprat penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”, “Pastrim i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave nga grup i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 28/4, 283/1, 287/1 shkronjat (a), (b) dhe (ç), 333/a, paragrafi (2) dhe 334/1 të Kodit Penal.
Shërbimet e policisë gjyqësore në Drejtorinë e Policisë së Shtetit në datën 19.07.2025 ka ekzekutuar masën e sigurimit “arrest në burg” për personin nën hetim P.K dhe B.F. Ndërsa personi nën hetim E.F aktualisht ndodhet i arrestuar në Zvicër.

Hetimet paraprake lidhur me këtë procedim penal ende nuk kanë përfunduar, ndërsa vijojnë hetimet për fakte te tjera penale apo për persona të tjerë, të përfshirë në objektin e hetimeve të këtij procedimi penal.

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Poll

MOS HUMB