SHKODËR- Një kurorë me lule, e njëjta me ato që përdoren për ceremoni mortore është vendosur si kërcënim për Emiljano Nikën. Simbol mortor është vendosur në derën e shtëpisë së prindërve të Nikës, i cili mban postin e drejtorit të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit në Shkodër. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Sektor të Velipojës dhe është denoncuar në polici si një akt kërcënimi.
Nika ka pasur rol kyç në aksionin për prishjen e ndërtimeve pa leje në zonën e mbrojtur të Thethit, ku është përballur me kundërshtime nga banorët. Por nuk dihet se cili është personi që ka lëshuar sinjalin e kërcënimit ndaj tij, megjithatë çështja po hetohet për të identifikuar dhe kapur autorin.
Njoftimi i Policisë:
Më datë 18.07.2025, shtetasi E. N., 44 vjeç, banues në Shkodër, ka kallëzuar se në banesën ku jetojnë vetëm prindërit e tij, në fshatin Sektor, Velipojë, në pjesën e jashtme të banesës, mbi kangjellat e portës, ka konstatuar një kurorë me lule. Po punohet për sqarimin e rrethanave të rastit, identifikimin dhe kapjen e autorit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme. Nika është kërcënuar edhe më herët për shkak të detyrës. Policia po heton për të identifikuar autorët dhe për të garantuar sigurinë e tij./ZËRI