Aktualitet

Helmimi i 56 studentëve të Akademisë së Sigurisë, AKU: Mostrat e produkteve në laborator, presim rezultatet

AKU njofton se hetimet vijojnë dhe janë ndërmarrë masa të koordinuara me institucionet ligjzbatuese për verifikimin e plotë të rastit.

zh.ll
Helmimi i 56 studentëve të Akademisë së Sigurisë, AKU:
akademia e sigurise-aku

TIRANË- Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka reaguar sërish për situatën e rëndë, të enjten e 7 majit, ku 56 studentë të Akademisë së Sigurisë, u helmuan nga ushqimi dhe përfunduan në urgjencë. AKU njofton se hetimet vijojnë dhe janë ndërmarrë masa të koordinuara me institucionet ligjzbatuese për verifikimin e plotë të rastit.

Sipas njoftimit, janë marrë mostra të produkteve ushqimore dhe ujit të rrjetit, të cilat do të analizohen në laboratorin ISUV. Po kryhen gjithashtu testime mikrobiologjike dhe kontrolle për higjienën e ambienteve ku përgatitet ushqimi.

Njoftimi i plotë:

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vijon me hetimin hap pas hapi të rastit të pak ditëve më parë, ku pas komunikimit ndërinstitucional me Akademinë e Sigurisë në Sauk u informuam mbi rastin e dyshuar për helmim të disa kursantëve pranë kësaj akademie.

Në bashkëpunim me institucionet e tjera ligjzbatuese, u morën masa të menjëhershme për verifikimin konkret të rastit.

Janë marrë mostra të produkteve, të cilat janë dërguar për analizim pranë laboratorit të ISUV dhe aktualisht jemi në pritje të rezultateve.

Përpos lëndëve të para dhe produkteve gati për tu ngrënë, të dyshuara, u krye dhe kampionimi i ujit të rrjetit, i cili do t’i nënshtrohet analizimit mikrobiologjik.

NJVKSH në këtë situatë, është ende duke kryer verifikimet e nevojshme.

Për të plotësuar kuadrin hetimor, ISHP ka marrë mostra për testimin e higjienës së ambienteve të punës, ku përgatitet ushqimi. Rezultatet e të cilave, do të bëhen me dije, në përfundim të procesit.

Aktualisht vijon komunikimi i ngushtë me ISHP dhe NJVKSH, nga të cilët pritet raporti i hetimit epidemiologjik, një element thelbësor për identifikimin e burimeve të infeksionit, dhe ndalimin e transmetimit të mëtejshëm.

AKU inkurajon praktikat e mira higjienike, në garantim të sigurisë ushqimore, si një masë esenciale në parandalimin e infeksioneve dhe problematikave të tjera.

Trupat inspektuese dhe stafi AKU janë në gatishmëri për ndjekjen e këtij rasti dhe të gjithë situatave ku preket siguria ushqimore.

Të enjten, 7 maj, u raportua ngjarja e rëndë në Akademinë e Sigurisë, ku 56 studentë të këtij institucioni përfunduan në spital, pasi dyshohet se janë helmuar nga ushqimi gjatë konsumimit të vaktit të drekës. Raportohet se pas konsumimit të drekës, studentët kanë shfaqur probleme shëndetësore dhe kanë pasur simptoma të rënda, me të vjella dhe dhimbje barku. Ata janë transportuar në spital ku kanë marrë mjekim dhe janë rikthyer sërish në akademi. Sipas dyshimeve paraprake, studentët mund të jenë helmuar nga ushqimi që kanë konsumuar, i cili u ofrohet për 3 vakte nga kompania private 'Sori-Al'. Në njoftimin zyrtar, policia njoftoi se janë arrestuar kuzhinieri dhe teknologia e kompanisë katering, ndërsa është shpallur në kërkim administratorja, Alma Tafani. Ndërkohë, AKU zbarkoi menjëherë në kompaninë private, dhe pas kontrolleve ka bllokuar mbi 15o kg produkte ushqimore, si dhe vendosjen e një gjobe prej 100 mijë lekësh ndaj subjektit. ZËRI ka siguruar menunë ushqimore që kanë konsumuar studentët, ku është konstatuar uthull e kontaminuar me krimba./ZËRI

Poll

MOS HUMB