
TIRANË-Pronari i Spitalit Amerikan, Klodian Allajbeu është paraqitur paraditen e sotme në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, lidhur me hetimet që po zhvillohen për koncesionet në fushën e shëndetësisë.
Pak javë më parë, SPAK dhe BKH kanë kryer sekuestrime në ambientet e shoqërisë “Evita” sh.p.k., kompani në pronësi të Allajbeut dhe kontrolle te Spitali Amerikan. Hetuesit sekuestruan pajisje të shumta elektronike si dhe telefonin personal të drejtuesit të Spitalit Amerikan, Klodian Allajbeu.
Konkretisht kontrollet nga SPAK dhe BKH u ushtruan edhe për Osvelda Qafa, Shefe e Operacioneve Financiare në Spitalin Amerikan, si dhe të çifti i bashkëshortëve Onejda Ymeraj dhe Arbër Teqja. Ymeraj është një prej drejtuesve kryesore të Spitalit Amerikan që prej vitit 2014, ndërsa Teqja ka qenë më herët pronar me 70% të aksioneve të një biznesi me emrin “Eco Riciklim”, të cilin më vonë ia ka blerë kompania ANAMARK, pronar i së cilës është 100% Klodjan Allajbeu. Qafa, Ymeraj dhe Teqja kërkojnë në GJKKO kthimin e celularëve.
Ndërkohë Agjentët e Byrosë Kombëtare kanë zhvilluar një aksion edhe në kompleksin 'Equos Resort' dhe në kompaninë 'Pegasus' të biznesmenit Janis Karathanos. Pegasus është shoqëria mëmë e AB Laboratory Solution BV. Si 'Labopharma' ashtu edhe 'Pegasus' kanë bërë kërkesa të veçanta në GJKKO për kthim të sendeve të sekuestruara.
Deri në këto momente, autoritetet nuk kanë dhënë detaje zyrtare mbi natyrën e hetimit. Kontrata koncesionare “Për ofrimin e shërbimit laboratorik të spitaleve universitare, rajonale dhe atyre bashkiake të Sarandës dhe Lushnjës” u firmos në 24 prill 2019, ndërsa procedurat kishin nisur që në vitin 2015. Një raport i tetorit 2021 nga Kontrolli i Lartë i Shtetit gjeti shkelje të madhe dhe arriti në përfundimin se Ministria e Shëndetësisë e kishte dhënë atë në kundërshtim me ligjin “Për Koncesionet dhe Partneritetin Publik Privat”. Për këtë procedurë, KLSH paditi në SPAK shtatë anëtarët e komisionit për dhënien e koncesionit si dhe i kërkon gjithashtu Ministrisë së Shëndetësisë që të marrë masa për rishikimin dhe zgjidhjen e kontratës./ZËRI

