SHKODËR- Shpëtim Çeliku, i dënuar me 25 vite burg në një prej burgjeve të sigurisë së lartë ka ndërruar jetë si pasojë e e arrestit kardiorespirator. Sipas njoftimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, i dënuari ka ndërruar jetë në Reanimacionin Qendror të Spitalit "Nënë Tereza", ku ishte trasferuar për shkak të problemeve shëndetësore.
Çeliku ishte i dënuar 25 vite burg nga Gjykata e Vlorës për vrasjen e gruas me foshnjën në bark, ngjarje e ndodhur më datë 9 dhjetor të vitit 2012 në Orikum. Nga dënimi i tij kishin mbetur për të vuajtur edhe 8 vite e 5 muaj.
Njoftimi:
Shtetasi Shpëtim Çeliku, i cili vuante dënimin në një burg të sigurisë së lartë, ka ndërruar jetë rreth orës 08:10 në Reanimacionin Qendror të QSUNT, ku ishte dërguar për trajtim të specializuar për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore.
Vdekja ka ardhur si pasojë e arrestit kardiorespirator. Çeliku, banues në Vlorë, ishte dënuar me 25 vite burg nga Gjykata e Rrethit Vlorë për veprën penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, pasi ishte arrestuar më datë 09.12.2012. Nga dënimi i tij kishin mbetur për të vuajtur edhe 8 vite e 5 muaj. Më datë 15.10.2025 ai ishte transferuar në Spitalin e Burgjeve nga IEVP Shkodër, dhe më pas u dërgua në QSUNT, ku ndërroi jetë.
Nga ana jonë janë duke u zbatuar procedurat me njoftimin e Prokurorisë, SHKBSB, Komisariatit të Policisë dhe familjarëve.
Krimi makabër:
Ngjarja horror ndodhi më 8 dhjetor të vitit 2012, në Orikum të Vlorës. Shkëlqim Çeliku vrau me mjete të forta bashkëshorten shtatzënë 34-vjeçare, Manushaqen, dhe më pas u largua nga vendngjarja. Asokohe, për dy ditë ai kishe ushtruar dhunë sistematike ndaj gruas duke përdorur djegie me prush në pjesë të trupit, ndërkohë që goditja fatale, që i ka marrë dhe jetën, është bërë me sqepar.
Pasi autori masakroi me sqepar gruan shtatzënë ka fjetur me trupin e saj të pajetë për dy net, duke fshehur krimin. Për këtë, ai ka detyruar edhe fëmijët, 3 dhe 7 vjeçe, që të mos tregonin, duke i kërcënuar se do t’i rrihte nëse do të guxonin të dilnin jashtë, duke i mbajtur të mbyllura bashkë me kufomën e nënës së tyre.
Ngjarja do të zbulohej nga fqinja, Flora Muka, e cila pinte kafen gati çdo ditë me viktimën Manushaqe Çeliku. Fqinja kishte nisur të dyshonte pasi kishte parë vetëm kryefamiljarin të dilte dhe të futej në banesë në mënyrë të çuditshme, po ashtu edhe përgjigjet e tij ishin të dyshima. Dyshimet mjaftuan për të njoftuar policinë, të cilët pasi mbërritën në banesën e çiftit shkallmuan derën e shtëpisë, pasi ajo ishte e kyçur nga jashtë. Brenda banesës, gjetën gruan e masakruar në krevat dhe të përgjakur, ndërsa dy vajzat e mitura qanin e dridheshin te koka e saj.
Shpëtim Çeliku është arrestuar menjëherë nga policia, i cili fillimisht ngriti alibi se nuk e dinte çfarë kishte ndodhur në banesën e tij, pasi kishte qenë në Sarandë prej tri ditësh dhe se po kthehej prej andej. Ndërkohë, pas arrestimit, ai deklaroi se e kishte vrarë për motive xhelozie, pasi dyshonte se fëmijën e saj të tretë (në muajin e gjashtë të shtatzënisë) e kishte me rojën e fshatit. Por më pas, provat e siguruara dhe dëshmia e vajzës së tij 7 vjeçe ka bërë që ai të dorëzohet dhe të pranojë krimin e rëndë./ZËRI