TIRANË- Një tjetër skemë e dyshuar, me në fokus tenderat, është regjistruar këtë herë në shëndetësi. Bëhet fjalë për një tender që do të furnizojë shërbimin e kardiokirurgjisë me age apo pajisje të tjera gjatë ndërhyrjeve kirurgjikale kardiake. Tenderi i shpallur nga Operator i Blerjeve të Përqendruara për pajisje për shërbimin e kardiokirurgjisë, në vlerën e gati 750 milion lekëve, rezulton se është fituar nga Evita Sh.p.k, në pronësi të biznesmenit të Spitalit Amerikan, Klodian Allajbeut.
Cila ishte gara për tenderit? Kompania e Allajbeut 'Evita Sh.p.k' ka ofruar ofertën rreth 660 milionë lekë dhe u shpall fituese përballë operatorit tjetër pjesëmarrës në garë 'Montal Sh.p.k', e cila paraqiti ofertën më të ulët rreth 540 milionë lekë. Kjo ofertë dukshëm më e ulët se 'Evita Sh.p.k'. E megjithatë, edhe pse 120 milionë lekë më shumë, kompania e Klodian Allajbeut u shpall fituese e tenderit.
Por, si u shpall fituese kompania që ofroi ofertën më të lartë, kur pretendohet se në tendera shpallet fitues oferta më e ulët? Sipas dokumenteve të Operatorit të Blerjeve të Përqendruara, bëhet me dije se 'Montal Sh.p.k', rivali i Allajbeut, u skualifikua pasi nuk plotëson specifikimet teknike. Megjithatë, kompania e skualifikuar, mund të ankimojë fituesin e këtij tenderi,që ka fituar edhe tendera dhe koncesione të tjera nga buxheti i shëndetësisë, deri më datë 23 dhjetor. /ZËRI