Aktualitet

Atentati me 4 të plagosur në Tiranë/ Gjendet material gjenetik nga autorët, lanë sende mbi një gardh

Sipas kontrollit të bërë në vendin e ngjarjen, grupi hetimor ka gjetur disa sende mbi një gardh metalik shumë pranë vendit ku u bë atentati.

k.m.
Atentati me 4 të plagosur në Tiranë/ Gjendet material gjenetik
Pamje nga vendngjarja

TIRANË- Hetuesit kanë tashmë një pistë sesi mund të zbardhin atentatin në Lundër, ku nga breshëria e plumbave u plagosën 2 djemtë e pronarit të kompanisë "Pelikani Security", përkatësisht 11 dhe 17 vjeç, shoferi i familjes dhe një shok i djemve, 19-vjeç. Sipas kontrollit të bërë në vendin e ngjarjen, grupi hetimor ka gjetur disa sende mbi një gardh metalik shumë pranë vendit ku u bë atentati. Paraprakisht, dyshohet se autorët kanë qëndruar për disa orë në vendin e ngjarjes në pritje të mjetit ku po qarkullonin fëmijët dhe shoferi. 

Për më tepër, në këto sende që janë gjetur, hetuesit kanë zbuluar edhe kampionë ADN-je që dyshohet se janë të autorëve. Ky material do të futet në databazë për të parë ka përputhje me ndonjë person tjetër, që është vënë në pranga, pra ata që janë të skeduar më parë. Teksa kanë qenë në vendin e ngjarjes, hetuesit kanë kryer edhe disa eksperimente hetimore për të zbuluar itineratin e përshkruar nga autorët. Dyshohet se ata janë nisur nga nga Arbana dhe më pas kanë kaluar përmes Vishnjes, Picallës, Saukut, Mjullës, Liqenit të Farkës dhe rrugës së agallarëve. Nga aty kanë dalë në vendin e ngjarjes. 

Si ndodhi ngjarja?

Autorët dyshohet se kanë ndjekur mjetin tip 'G Class', ku po udhëtonin Arens Stafa, 34 vjeç, Kian Mullaj, 19 vjeç, Marko Bardhi Demiraj, 17 vjeç dhe Dior Demiraj, 11 vjeç. Këta të fundit janë djemtë e pronarit të kompanisë private “Pelikan Security”. Të katër po ktheheshin nga festa e ditëlindjes së 11-vjeçarit në momentin që një motor ka nisur t’i sulmojë tek rrethrrotullimi i Shkozës. Më pas i ka ndjekur duke i qëlluar me breshëri plumbash në ecje.

Deri më tani, nuk ka autorë të identifikuar, apo edhe zbardhje për motivin e krimit. Bëhet me dije se pas plagosjes së 4-fishtë dy atentatorët e armatosur me dy kallashnikov dhe me motorin e përdorur për atentatin udhëtuan deri në fshatin Fikas, Elbasan ku braktisën motomjetin dhe e dogjën. Ndërsa, armët e përdorura në krim, nuk janë gjetur.

Policia dyshon se në ngjarje është përfshirë edhe një person i tretë, që ka larguar autorët nga Fikasi, pasi braktisën dhe dogjën motorin. Hetuesit po këqyrin kamerat e sigurisë, për të marrë të dhëna të reja mbi drejtimin që kanë ndjekur më pas autorët. Për motivet e ngjarjes policia po heton në dy pista atë të ngatërrimit të objektivit dhe ndonjë konflikt të mundshëm të pronarit të 'Pelikani Security'./ZËRI

Poll

MOS HUMB