Aktualitet

Atentati ndaj Gilmando Danit dhe Muçi Shaljanit, policia kërkon informacione nga Spanja, 15 të shoqëruar

Në mesin e personave të shoqëruar janë dhe familjarë të Danit dhe Shaljanit, për t’i pyetur në lidhje me konflikte të mundshme për të cilat ata mund të kenë qenë në dijeni

E.K
Atentati ndaj Gilmando Danit dhe Muçi Shaljanit, policia kërkon
gilmando dani dhe muci shaljani

TIRANË- Dy ditë pas atentatit që ndodhi në Rinas, ku u ekzekutua Gilmando Dani, dhe u plagos rëndë efektivi i AMP-së Muçi Shaljani, Policia e Shtetit nuk ka ende një të dyshuar për ngjarjen, pavarësisht kontrolleve të shumta që janë kryer në zonën e Fushë Krujës, Niklës dhe Kamzës. Policia ka kërkuar informacion nga autoritetet spanjolle, mbi lëvizjet e Danit dhe Shaljanit, gjatë qëndrimit 4 ditor atje, por deri tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Ndërkohë që personat e shoqëruar janë lënë të lirë, për shkak se nuk janë gjetur prova që i lidhin me ngjarjen.

Punonjësi i AMP-së vijon të jetë në gjendje kritike për jetën në spitalin e Traumës në Tiranë, i intubuar, për shkak se ka marrë 10 plumba në kokë dhe në trup. Ditën e djeshme u publikuan dhe pamjet filmike të atentatit, ku shihej qartë se 3 persona qëlluan me breshëri arme në drejtim të mjetit tip Benz ku udhëtonin dy miqtë.

Autorët e kryen krimin brenda një minute, dhe më pas u larguan të pashqetësuar nga vendi i ngjarjes, ndërsa atentati mund të kishte pasoja edhe më të rënda, për shkak të fluksit të lartë të lëvizjes së mjeteve dhe qytetarëve në zonë. Në vendin e ngjarjes janë gjetur 80 gëzhoja, ndërsa autorët qëlluan me 4 armë, 3 prej të cilave kallashnikovë dhe një pistoletë.

Referuar ekspertizës së kryer, në trupin e viktimës janë gjetur 20 plumba, çka tregon se aurorët kanë qëllua pa mëshirë, me qëllim eleminimin e tij.

Gilmando Dani ka qenë objektivi kryesor i këtij sulmi pasi drejtimi më i madh i plumbave janë lëshuar pikërisht nga këndi ku ndodhej ai.

Hetimet janë fokusuar në disa pista hetimore, siç është ajo e larjes së hesapeve mes grupeve kriminale, konfliktet për fajdet financiare e deri tek bashkëpronësia tek disa sipërfaqe toke prapa zonës së "Casa Italia" dhe trafiku i kokainës.

Dani dhe Shaljani, sapo ishin kthyer nga Spanja, ku besohet nga policia se kishin shkuar për koordinim të punëve në trafikun e drogës./ZËRI 

Poll

MOS HUMB