TIRANË-Durim Bami, i njohur si 'I forti' i Niklës ka mbërritur në Rinas pas ekstradimit nga Dubai. Në Aeroportin e Rinasit, Bami u shoqërua nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Forca Kombëtare e Sigurisë, Forcat “Shqiponja” dhe nga Policia e Burgjeve.
Bami u arrestua në Dubai dy vite më parë, më 12 qershor të vitit 2024, teksa ishte shpallur në kërkim me urdhër të SPAK në kuadër të operacionit Revanshi.
Aktualisht çështja penale ndaj Durim Bamit është përfunduar dhe dërguar në gjyq nga SPAK. Ndërsa akuzat zyrtare kundër tij janë të rënda si ajo e “Sigurimit të kushteve për të kryer vrasjen” e ish-deputetit të PS, Arben Ndoka, “Sigurimit të kushteve për të kryer vrasjen”, të Hektor alias Tori Xheçuka dhe Erigers Mihasit kryer kjo në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”.
Njëherësh, Durim Bami, akuzohet nga SPAK dhe për “Kultivim të lëndëve narkotike” kryer në bashkëpunim në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”.
Policia e Shtetit:
Finalizohet ekstradimi nga Dubai, në Shqipëri, i shtetasit të shumëkërkuar D. B.
Si rezultat i bashkëpunimit dhe besimit mes Policisë së Shtetit dhe homologëve në Emiratet e Bashkuara Arabe, konkretizuar me shkëmbim intensiv informacioni dhe bashkërendim të veprimeve operacionale, mbrëmjen e sotme, në vijim të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, u finalizua procedura për ekstradimin nga Dubai, në Shqipëri, të shtetasit të shumëkërkuar D. B., 47 vjeç, banues në Krujë.
47-vjeçari ishte në kërkim ndërkombëtar, pasi më datë 15.05.2024, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale, ose grup i strukturuar kriminal”.
Në Aeroportin e Rinasit, i shumëkërkuari u shoqërua nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Forca Kombëtare e Sigurisë, Forcat “Shqiponja” dhe nga Policia e Burgjeve.
