TIRANË-7 persona u angazhuan në vendosjen e tritolit në automjetin e 36-vjeçarit, Oltjon Klosi, ngjarje e ndodhur më 10 mars në rrugën “Vasil Ndoçka”, Tiranë. Policia ka zbardhur ngjarjen ku ka vendosur në pranga 7 persona nga grupi kriminal, si dhe ka sekuestruar biçikletën e përdorur në ngjarje nga autori, rrobat e përdorura, automjetet me të cilat kanë lëvizur të dyshuarit dhe aparatet celularë të tyre.
Konkretisht lënda eksploziv është vendosur nga një 32-vjeçar, i cili është kapur nga kamerat e sigurisë me biçikletë teksa vendoste tritolin. Ky i fundit është ndihmuar nga tre persona të tjerë, të cilët e kanë ndihmuar të largohet me automjet nga vendi i ngjarjes dhe më pas e kanë strehuar.
Të arrestuarit janë Jurgen Gjonaj, 32 vjeç, Renato Balla, 25 vjeç, Kristjan Ahmerama 24 vjeç dhe Eklips Leti 27 vjeç, për veprën penale “Shkatërrim i pronës me eksploziv”, e kryer në bashkëpunim; dhe Glentjan Kojtari 29 vjeç, Dorjan Hamolli 34 vjeç dhe Geris Molla 19 vjeç, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, e kryer në bashkëpunim.
Blutë njoftojnë se porosia është dhënë nga Sabah Nuzi, i cili aktualisht ndodhet në burgun e Fushë-Krujës. Sabah Nuzit, u arrestua në shtator të 2025 me urdhër të SPAK, në kuadër të hetimeve për vrasjen e 22-vjeçarit Klevis Lleshi. Hetimet e SPAK kanë zbuluar se vrasja është porositur nga Aurel Hoxha, i cili dyshohet se ka paguar 50 mijë euro për ekzekutimin e Lleshit. Në vitin 2020 u arrestua nga Policia e Matit pasi kishte qëlluar me armë në ajër dhe kishte kërcënuar një person. Edhe më herët, në vitin 2012, kur ka qenë krejt i ri vetëm 18 vjeç, është prangosur për plagosjen e 3 personave me pistoletë.
Pronari i mjetit Oltjon Klosi jeton mes Shqipërisë dhe Spanjës. Dyshohet se aktiviteti i tij në Spanjë të jetë motiv për vendosjen e tritolit. Klosi figuron me precedent penal për konflikte në Shqipëri.
Njoftimi i Policisë:
Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur në orët e para të mëngjesit të datës 10.03.2026, në rrugën “Vasil Ndoçka”, ku shpërtheu një sasi lënde plasëse në automjetin në pronësi të një shtetasi.
Vihen në pranga 7 shtetas, të përfshirë në ngjarje, në formën e një grupi të strukturuar kriminal, shtetas me precendent të theksual kriminal.
Sekuestrohen biçikleta e përdorur në ngjarje, rrobat e autorit të përdorura gjatë saj, automjetet me të cilat kanë lëvizur të dyshuarit dhe aparatet celularë të tyre.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur në rrugën “Vasil Ndoçka”, ku në automjetin në pronësi të shtetasit O. K. shpërtheu një sasi lënde plasëse (me pasoja vetëm dëme materiale), kanë organizuar operacionin policor “Porosia”, me qëllim zbardhjen e kësaj ngjarjeje, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale hetimore, administrimit të provave në vendngjarje, si dhe këqyrjes së kamerave në akse të ndryshme rrugore përmes të cilit dyshohet se mund të ishin larguar autorët, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes.
Në vijim të veprimeve proceduriale për këtë rast:
-u ndaluan shtetasit J. G., 32 vjeç, R. B., 25 vjeç, K. A., 24 vjeç dhe E. L., 27 vjeç, për veprën penale “Shkatërrim i pronës me eksploziv”, e kryer në bashkëpunim;
-u ndaluan shtetasit G. K., 29 vjeç, D. H., 34 vjeç dhe G. M., 19 vjeç, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, e kryer në bashkëpunim;
-u bë ndalimi me iniciativë për veprën penale “Shkatërrim i pronës me eksploziv” ndaj shtetasit S. N., 33 vjeç, aktualisht në IEVP.
Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se shtetasi J. G. është personi që ka vendosur dhe shpërthyer lëndën eksplozive, i cili është ndihmuar nga shtetasit K. A., R. B. dhe E. L., duke i siguruar fotot dhe vendndodhjen e automjetit të dëmtuar, biçikletën me të cilën ka lëvizur autori, banesën ku është strehuar si dhe sasinë e lëndës eksplozive të vendosur. Ndërkohë, Shtetasi S. N., aktualisht në IEVP Fushë-Krujë, i akuzuar për vepra të rënda kriminale, dyshohet se është personi që ka porositur vendosjen e lëndës plasëse në automjetin e shtetasit O. K.
Më tej, shtetasit G. K., 29 vjeç, D. H., 34 vjeç dhe G. M., 19 vjeç, kanë transportuar me automjet, më datë 10.03.2026 autorin e vendosjes së eksplozivit, shtetasin J. G./ZËRI


