
TIRANË- Edhe pse Ilir Meta ndodhet në burg, ndërsa Sali Berisha në arrest shtëpie, të dy politikanët kanë diçka të përbashkët: ata u ndaluan me urdhër të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në të njëjtën datë. Sot kur data shënon 21 tetor, në pranga përfundoi presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Ky i fundit ka tre akuza mbi shpinë: atë të korrupsionit, pastrim të parave dhe mosdeklarim të pasurisë.
Po në të njëjtën datë, një vit më parë, në një situatë disi të ngjashme u gjend edhe Sali Berisha, i cili më 21 tetor 2023 u njoh me masën e sigurisë "detyrim paraqitje" dhe "ndalim të daljes jashtë shtetit" nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Për Berishën, masa e sigurisë mund të kishte qenë edhe më e ashpër, por ndryshe nga Meta, kryedemokrati "favorizohet" nga mosha e tij. Berisha është nën akuzë për "korrupsion pasiv" për privatizimin e kompleksit sportiv të klubit "Partizani"
Duket se data 21 tetor qenka një datë ‘tersi’ për politikanët shqiptarë./ZËRI