
TIRANË- Arrestimi i presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Metës duke se e ka shqetësuar më shumë Erisa Xhixhon, sesa masa e sigurisë që SPAK ka vendosur për të atin e saj. Pirro Xhixho, babai i Erisa Xhixhos, zv/Presidentes së Partisë së Lirisë, është lënë në "arrest me burg" pasi akuzohet se ka ndërhyrë duke shpërdoruar postin e tij si kreu i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP). Por, Xhixho është fokusuar tek Meta, arrestimin e të cilit e cilëson si një akt që turpëron Shqipërinë, por nuk përmend masën që është dhënë ndaj babait të saj.
Reagimi i Erisa Xhixhos:
ARRESTIMI BANDITESK I ILIR METËS, AKT QË TURPËRON SHQIPËRINË
I turpshëm dhe banditesk akti terrorist i ideuar nga kryeministri Edi Rama dhe i ekzekutuar nga segmente okulte të Policisë së Shtetit ndaj ish-presidentit të Republikës dhe kreut të Partisë së Lirisë. Një shfaqje e tillë në mes të rrugës dhe pengmarrje politike e ish-kryeministrit dhe ish-kryetarit të Kuvendit tregon qartë se shteti policor është fytyra e këtij regjimi dhe krimit të organizuar që qëndron pas tij. Sot u dha provua e radhës se drejtësia është në duart e Edi Ramës, i cili e përdor si vegël për hakmarrje ndaj rivalëve politikë. Partia e Lirisë nuk dekurajohet nga një atentat i tillë ndaj demokracisë, por do të rrisë forcën dhe vendosmërinë për përballjen me këtë regjim kriminal.
Episodi ku përmendet babai i Xhixhos
"Kur ishte kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, SPAK ka dalë në përfundimin se bashkë me bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi në vitin 2014 kanë përdorur influencën e tyre duke ndikuar tek drejtuesit e institucioneve të ndryshme shtetërore si dhe tek drejtuesit e kompanive të telefonive celulare, me qëllim futjen në tregun e fibrave optike si dhe lidhjen e marrëveshjes së interkonjeksionit midis kompanisë “U… C… INC” dhe një kompanie private telefonike celulare. Burrë e grua kanë përfituar pjesën e tyre në përqindje nga fitimi i kompanisë, dhe janë pajisur me karta krediti nga administratori i shoqërisë. Shpenzimet e kryera nëpërmjet këtyre kartave, nuk janë deklaruar në deklaratat e pasurive nga të hetuarit. Këtu hyn Pirro Xhixho, i cili duke shfrytëzuar autoritetin e tij si Kryetari i AKEP, i zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë me propozimin e subjektit politik “Lëvizja Socialiste Për Integrim” (LSI). Ai mori porosi nga Meta dhe Kryemadhi dhe jo vetëm që ka ndikuar tek drejtuesit e kompanisë telefonike celulare për finalizmin e marrëveshjes por nga ana tjetër, ka lejuar kompaninë private të ushtrojë aktivitetin e saj në shkelje të ligjit të AKEP,"-bën medije SPAK.
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta akuzohet për 3 vepra penale: korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurish. Por Meta nuk është i vetmi që ka rënë në rrjetën e SPAK. Në “arrest shtëpie” është caktuar Pirro Xhixho (babai i Erisa Xhixhos), ndërsa Monika Kryemadhi dhe Ema Çoku janë lënë në “detyrim paraqitje”./ZËRI