Aktualitet

'Ishin të droguar'! Pengmarrja e bosit të call centerave, avokati i vëllezërve Neza: Sula u kishte 60 mijë € borxh, donin sqarim

Avokati ka sqaruar se Jurgen Neza është vetëdorëzuar pasi mësoi që ishte në kërkim, ndërsa i vëllai Kevin Neza dhe kushëriri, Hysen Neza kanë qenë në momente depresioni dhe nën efektin e lëndëve narkotike

F.I
'Ishin të droguar'! Pengmarrja e bosit të call centerave,
Jurgen Neza, Kevin Neza, Florian Sula dhe Hysen Neza

TIRANË-Gjykata e Tiranës ka lënë në masën e sigurisë “arrest në burg” dy vëllezërit Jurgen dhe Kevin Neza dhe kushëririn e tyre Hysen Neza, të cilët morën peng më 31 mars Florian Sulën. Tre të arrestuarit nuk kanë folur në sallën e gjyqit. Avokati i tyre mbrojtës ka pretenduar se ata nuk e kanë marrë peng Sulën, por e kanë thirrur për sqarim pasi biznesmeni i kishte atyre një borxh 60 milionë lekë.

Avokati ka sqaruar se Jurgen Neza është vetëdorëzuar pasi mësoi që ishte në kërkim, ndërsa i vëllai Kevin Neza dhe kushëriri, Hysen Neza kanë qenë në momente depresioni dhe nën efektin e lëndëve narkotike, por nuk paraqiti dokumentacion në gjykatë për ta vërtetuar këtë pretendim. Sipas avokatit, tre të arrestuarit kur kanë konstatuar se Florian Sula ka qenë në pamundësi financiare për t’i kompensuar shumën e parave e kanë lënë të lirë të largohej.

ZËRI ka mësuar se Jurgen dhe Kevin Neza janë dy djemtë e biznesmenit Gazment Neza, i njohur si pronar i Bankës së Bashkuar së Shqipërisë, (UBA BANK), dhe ortak në Eurosig Albania.

Ditën e ngjarjes, 32-vjeçari ndodhej duke pirë kafe pranë zonës së ish-Parkut në Tiranë, kur tre autorët i janë afruar sapo është larguar nga lokali. Pengmarrësit i janë prezantuar si agjentë të BKH-së dhe e kanë detyruar të hipte në automjet dhe më pas e kanë çuar në ambientet e një magazine në Xhafzotaj. 

Fillimisht i kanë kërkuar 2 milion euro, por pasi 32-vjeçari ka kundërshtuar ata e kanë dhunuar dhe më pas i kanë kërkuar 1 milion euro, por sërish i riu ka thënë se nuk ka aq para. Më pas i kanë kërkuar “500 mijë euro” ku e kanë liruar që ky të shkonte të merrte paratë. Pas lirimit, biznesmeni 32-vjeçar i është drejtuar policisë. Sula raportohet të jetë i skeduar për mashtrim me pasoja të rënda, grup kriminal dhe pastrim parash në ndërtim, pjesë e grupit të Amant Josifit./ZËRI

Poll

MOS HUMB