TIRANË- Elkjer Tafçiu 40-vjeç është arrestuar nga policia si autori i dyshuar i vjedhjes me dhunë në një market në Yzberisht pasditen e djeshme. I arrestuari, me precendent penal për vjedhje me dhunë, u ndalua këtë të premte duke dalë nga një banesë në Rrugën e Qelqit. Sipas njoftimit të policisë, punonjësja e marketit që u dëmtua në dorë, nga thika që mbante autori, në tentativë për ta ndaluar atë, mori mjekim dhe u largua nga spitali.
Njoftimi:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Intervent”.
Identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 40-vjeçari që vodhi një shumë parash dje, në një market në Yzberisht, duke kanosur punonjësen, me thikë.
I arrestuari, me precendent penal për vjedhje me dhunë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të veprimeve intensive hetimore të kryera për zbardhjen e vjedhjes së kryer dje, në kërcënimin e thikës, në një market në Yzberisht, organizuan dhe finalizuan operacionin policor “Intervent”.
Si rezultat i operacionit u identifikua, u kap në Rrugën e Qelqit dhe u vu në pranga autori i dyshuar i vjedhjes, shtetasi E. T.(T), 40 vjeç, banues në Tiranë.
Punonjësja e marketit që u dëmtua në dorë, nga thika që mbante autori, në tentativë për ta ndaluar atë, mori mjekim dhe u largua nga spitali.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Mesditën e të enjtës, Tafçiu hyri i maskuar në një market në Yzberisht. Siç tregojnë pamjet e siguruara nga ZËRI, ai drejtohet menjëherë tek kasa dhe kërcënoi me thikë kasierën të cilës më pasi i mori një shumë parash. Në tentativë për ta ndaluar kasierja u plagos në dorë./ZËRI