Aktualitet

Konfliktet e nxënësve në shkolla: Nga roli i oficerit të sigurisë tek sfidat e përditshme

Oficerja e sigurisë, Josiba Osmani do të ndajë me ZËRI përditshmërinë e saj, sfidat dhe përkushtimin në punën që bën.

Loreta Koleci
Konfliktet e nxënësve në shkolla: Nga roli i oficerit të
Josiba Osmani

TIRANË- Konflikti mes të rinjve me thika në shkolla nuk është thjesht një incident; është reflektim i një realiteti ku mungon siguria psikologjike, ku tensionet lindin prej familjes, shoqërisë dhe rrjeteve sociale. Sot do të shohim jo vetëm pasojat, por se si përgatitet puna për të parandaluar gjithçka që lind përpara sherrit fizik.

E kemi fjalën për oficerin e sigurisë në shkolla dhe rolin që kryen për ruajtjen dhe sigurinë e fëmijëve dhe adoleshentëve në institucionet arsimore. E kush më mirë se një oficer sigurie mund të na flasë për këtë çështje. Josiba Osmani është një vajzë e re që ka studiuar të drejtë ndërkombëtare publike dhe aktualisht punon si oficere sigurie në shkolla. Ajo gjithashtu është eksperte në sigurinë kibernetike. Sot Josiba do të ndajë me ne përditshmërinë e saj, sfidat dhe përkushtimin në punën që bën.

Për të hyrë në thelbin e çështjes, nisemi nga pyetja që shpesh mbetet pa u adresuar: Nga burojnë konfliktet mes adoleshentëve dhe të rinjve në shkolla? A lidhet siguria psikologjike me atë fizike në parandalim?

Josiba Osmani sjell reflektime të thella: “Nëse flasim për sigurinë psikologjike, duhet të flasim për psikologjinë e fëmijëve dhe natyrën e tyre emocionale. Por e gjitha nis nga familja. Zakonisht të gjitha konfliktet që ndodhin janë konflikte verbale të cilat agravojnë në konflikte fizike ose në konflikte të rrjeve sociale dhe më pas në konflikte fizike. Burimet e llojeve të konflikteve shpesh janë të ndryshme. E para vjen nga situata ekonomike në familje, nga lidhja që ka prindi me fëmijën, dhe tjetra nga dominanca ose grupe të cilët ata krijojnë brenda në klasa të cilat lidhen me zhvillimin e adoleshencës së tyre”, shpjegon ajo.

Në sfond të këtyre sfidave, shteti ka ndërmarrë masa për të forcuar sigurinë në shkolla nëpërmjet vendimeve të qeverisë, përmes trajnimeve të 600 oficerëve të sigurisë në shkolla. Zëri pyeti oficeren në lidhje me trajnimin dhe infrastrukturën logjistike që u nevojitet këtyre punonjëve.

 “Në fakt është krijuar që në fillim për rolin dhe funksionin e oficerëve të sigurisë në shkolla një marrëveshje partneriteti dhe neni 9 përcakton qartë që oficerët e sigurisë në shkolla do të kenë një trajnim të vazhdueshëm, qoftë nga organizata ndërkombëtare, qoftë nga intitucionet në nivel qëndror. Oficerët e sigurisë janë trajnuar nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, e cila përfshin fushën kibernetike, nga Qendra për Parandalimit e Krimeve për të miturit dhe të rinjtë, gjithashtu nga Agjencia për Mbrojten e Fëmijëve dhe nga OSBE-ja, përfshirë këtu disa organizata ndërkombëtare. Me vendimin e fundit nga Ministria e Arsimit, është përcaktuar që oficerët e sigurisë në shkolla akses në sistemin SMIP, por nga ana tjetër nëse zbresim në terren ne shikojmë që ka një mungesë të infrastruktursë logjistike të oficerëve të sigurisë nëpër shkolla, nuk ka një ‘domain’ të promovimit të punës së tyre në rrjetet sociale dhe nuk ka mjetet e infrastrukturës së tyre logjistike për të cilën ata mund të kryejnë punën për sa i përket memorizimit të dokumentacioneve të tyre dhe referimit. Kohët e fundit është krijuar ‘mementor databaze’, e cila u jep mundësi oficerëve të sigurisë në shkolla të prezantojnë veten e tyre në formë digjitale bazuar në certifikimin akademik të marrë nga akademia e sigurisë ku ata janë certifikuar, por edhe duke memorizuar dokumentet e tyre të punës gjithashtu dhe duke i referuar online.”- shpjegon ajo.

Por puna e oficereve të sigurisë nuk është pa rrezik, këtë na e thotë dhe vetë Josiba e cila përballet çdo ditë me situata nga më të ndryshmet.

 “Oficeri i sigurisë ka një natyrë sensitive të punës që shpesh nuk do të përballet me një prind i cili ka shpëthime të natyrës agresive apo impulsive. Shpesh oficeri i sigurisë do të përballet edhe me kërcënime fizike të jetës. Ka ndodhur dhe ka pasur raste ku oficeri i sigurisë në shkollë është kërcënuar për sa i përket detyrës dhe rolit në funksionin që kryen edhe nga krimi i organizuar. Në këto raste janë formate të veçanta. Oficeri i sigurisë të merret në mbrojte në rastet e kërcënimit të jetës nga krimi i organizuar kur ka arritur ta identifikojë atë në rast ku fëmijët janë të përfshirë në kontigjenë të krimit të organizuar.”- shprehet oficerja.

Përveç kërcënimeve direkte, sfidat më të mëdha që përmend Josiba lidhen me mungesën e koordinimit institucionale, me legjislacion të rrallë që nuk reflekton situatat e çdo dite, dhe me mungesën e vazhdimësisë së trajnimeve dhe bashkëpunimit midis institucioneve të arsimit dhe atyre të rendit.

“Në fakt ne kemi vetëm një legjislacion, një vendim të Këshillit të Ministrave, kemi dhe një udhëzues praktik të punës, por ndoshta do ishte mië që oficeri i sigurisë të kishte dhe strukturë të veçantë koordinuese, duke filluar midis Ministisë së Arsimit dhe Ministrisë së Brendshme. Gjithashtu do të doja që të kishte një bashkëpunim edhe më të thellë midis oficerit të sigurisë në shkolla dhe Policisë së Shtetit, per referimin efektiv më të shpejtë të rasteve.”- thekson ajo.

Në fund të ditës, konflikti me thika nuk është vetëm një episod i keq dhe shokues, është thirrje për ndërgjegjësim. Josiba Osmani na kujton se nuk mjafton një kamer apo një oficere, duhet të ndërtojmë kushte ku nxënësi të ndihet i dëgjuar, i mbrojtur, i vlefshëm.

 “Ne nuk mund të vendosim kamera në mendjet dhe zemrat e fëmijëve. Ne duhet të arrijmë të kuprojmë fëmijët nga ana e natyrës së tyre psikologjike për të ndaluar konflikte me natyrë fizike të cilat ndodhin jashtë perimetrit të sigurisë në shkolla. Ne duhet të jemi motivues në punën që bëjmë dhe motivimi në fakt, dhe motivimi nuk fillon vetëm nga bashkëpunimet dhe aktivitetet por edhe duke e dëgjuar njëri-tjetrin. Prindi duhet dëgjuar, nxënësi duhet dëgjuar, mësuesit duhen dëgjuar, në mënyrë që çdo element të mos ndihet i lodhur dhe të mos kalojë në burokraci të dokumentacioneve që të kemi një mësimnxënje tek nxënësit dhe fokusi të jetë tek nxënësit.”- përfundon rrëfimin e saj Josiba. /ZËRI

Poll

MOS HUMB