Aktualitet

KUSH është ‘skifteri’ që grabiti taksistin dhe dy karburante në Fushë-Krujë

Në afërsi të Tapizës ai ka kërcënuar me armë zjarri taksistin duke marrë vetë drejtimin e makinës ndërsa taksistin e ka lënë në një zonë të largët duke i marë paratë dhe celularin.

F.I
KUSH është ‘skifteri’ që grabiti taksistin dhe dy
FOTO ILUSTRUESE

FUSHË-KRUJË-Emiliano Nikolli alias Lleshi nga Mamurrasi dyshohet të jetë autori i shpallur në kërkim i tre grabitjeve të regjistruara pasditen e kësaj të hëne në zonën e Fushë-Krujës. Sipas hetimeve, Nikolli mori një taksi në zonën e Tajvanit në Tiranë me destinacion Fushë-Krujën.

Në afërsi të Tapizës ai ka kërcënuar me armë zjarri taksistin duke marrë vetë drejtimin e makinës ndërsa taksistin e ka lënë në një zonë të largët duke i marë paratë dhe celularin. Më pas i riu vijoji rrugën me makinën e rrëmbyer.  

Nikolli shkoi më pas në dy pika karburanti në afërsi të Milotit, ku me të njëjtën armë kërcënoi punonjësit dhe iu mori xhiron ditore. Më pas ka lënë mjetin e grabitur në afërsi të një xhamie në Fushë-Krujë dhe është zhdukur duke humbur gjurmët.

Njoftimi i policisë:

Policia identifikon dhe shpall në kërkim 30-vjeçarin, si autor i dyshuar i 3 vjedhjeve me armë. 30-vjeçari, me precedentë të theksuar kriminal në disa fusha. Sekuestrohet në cilësinë e provës materiale automjeti i vjedhur taxi.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, menjëherë pas marrjes së njoftimit për një rast vjedhjeje me armë, kanë organizuar punën me qëllim zbardhjen e vjedhjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore të kryera në kuadër të operacionit policor të koduar “Ends”, është zbardhur ky rast vjedhjeje dhe është identifikuar autori i dyshuar, shtetasi E. N. (Ll.), 30 vjeç, banues në Mamurras.

Nga hetimet dyshohet se 30-vjeçari, në orët e para të mëngjesit të djeshëm, ka vjedhur automjetin taksi me të cilin lëvizte, pasi ka kanosur me armë zjarri, drejtuesin e saj. Më pas, dyshohet se ka lëvizur me automjetin e vjedhur në drejtim të qytetit të Laçit, ku në dy karburante, iu ka marrë punonjësve, shuma parash dhe sende personale, duke i kanosur ata, me armë zjarri.

Punohet për kapjen e 30-vjeçarit, për dokumentimin e këtyre rasteve dhe të vjedhjeve të tjera që mund të ketë kryer ky shtetas. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Mësohet sedhe më 10 maj të 2025 Emiliano Nikolli ishte bashkëautor i grabitjes së një tjetër pike karburanti në fshatin Fushë Gjormë, ndërsa më 30 maj, nën kërcënimin e armës i vodhi një shumë të konsiderueshme parash një tjetër taksisti në fshatin Fushë Mamurras./ZËRI

Poll

MOS HUMB