TIRANË-Shqipëria është përfshirë nga moti i paqëndrueshëm me reshje të dendura shiu. Reshjet intensive kanë shkaktuar sërish përmbytje.
Në Durrës banorët po përballen me vështirësi për qarkullimin e mjeteve dhe këmbësorëve. Situata paraqitet veçanërisht problematike në kryqëzimet kryesore, ku uji ka mbuluar plotësisht rrugët dhe trotuaret. Si pasojë, lëvizja në qytet është rënduar ndjeshëm që në orët e para të mëngjesit.
Në disa lagje, uji ka depërtuar në hyrjet e pallateve dhe bizneseve buzë rrugës, duke shkaktuar dëme materiale dhe shqetësim për banorët.
Problematika si pasojë e motit të keq janë regjistruar edhe në disa zona të qytetit të Lezhës. Niveli i ujit ka arritur deri në 40 centimetra, duke bllokuar hyrjet e pallateve dhe duke vështirësuar lëvizjen e qytetarëve dhe të automjeteve. Në disa hyrje shkollash, ku niveli i ujit ka arritur disa centimetra, duke vështirësuar qarkullimin e këmbësorëve dhe mjeteve.
Reshjet e dendura të shiut kanë rritur gjithashtu nivelin e ujit në hidrocentralet e kaskadës së Drinit. Ndërkohë vijojnë shkarkimet e ujit nga hidrocentralet e Komanit dhe të Vaut të Dejës./ZËRI