
TIRANË-Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar rekursin e Pëllumb Gjokës, i cili kërkonte kthimin e pronave të sekuestruara nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) në kuadër të dosjes “Metamorfoza”. Biznesmenit i janë sekuestruar 390 mijë metra tokë në plazhin e Velipojës me kërkesë të SPAK, pasi dyshohet se këto sipërfaqe janë përfituar me anë të falsifikimit.
Padia u paraqit nga i pandehuri Pëllumb Gjoka, i cili është i paraburgosur, si edhe nga përfaqësuesi Kolë Gjoka dhe ‘Shoqëria Imperial Group’, që pretendojnë se kjo pasuri është ne emër të tyre dhe jo të biznesmenit.
Nga korriku i vitit 2023, Pëllumb Gjoka ndodhet në paraburgim, i akuzuar për disa vepra të rënda penale. Ai u arrestua në kuadër të operacionit “Metamorfoza”. Ky i fundit u arrestua pas zbardhjes së komunikimeve në aplikacionin "Sky ECC", ndërsa bashkë me të në pranga përfnduan policë, prorkurorë dhe ish-prokurorë. Deri në marrjen e një vendimi nga GJKKO për dosjen, biznesmeni Pëllumb Gjoka, prokurori Xhevahir Lita, ish-shefi i Operacionales Oltion Bistri, ish-efektivi Adrit Hasanbegaj, Edmond Preka (shofer i biznesmenit Gjoka) do të qëndrojnë në qeli, derisa të përfundojnë hetimet./ZËRI