Aktualitet

Ligji për "Kontrollet Zyrtare” në konsultim publik, ngrihen 3 institucione të reja për sigurinë ushqimore

Drafti përcakton rregullat e përgjithshme, parimet dhe kërkesat që lidhen me kontrollet zyrtare dhe përcakton përgjegjësitë përkatëse për të garantuar një nivel të lartë të mbrojtjes së shëndetit të njerëzve, kafshëve dhe bimëve.

zh.ll
Ligji për "Kontrollet Zyrtare” në konsultim publik, ngrihen
Foto ilustruese

TIRANË- Projektligji i ri i hedhur për konsultim publik për “Kontrollet zyrtare”, parashikon një reformim të plotë në administrimin e sigurisë ushqimore në vend. Për këtë, ligji i ri parashikon krijimin e 3 institucioneve të reja që do të jenë përgjegjëse për këtë proces. Konkretisht Institucioni Përgjegjës për Kryerjen e Kontrollit Zyrtar (IPKZ); Institucioni Përgjegjës për Kryerjen e Aktiviteteve të Tjera (IPAT); Institucioni Përgjegjës për Kryerjen e Kontrollit Zyrtar në pikat e Kontrollit Kufitar (IPKPKK).

Drafti përcakton rregullat e përgjithshme, parimet dhe kërkesat që lidhen me kontrollet zyrtare dhe përcakton përgjegjësitë përkatëse për të garantuar një nivel të lartë të mbrojtjes së shëndetit të njerëzve, kafshëve dhe bimëve.

Qëllimi i ligjit është të garantojë standarde të larta të sigurisë në të gjithë zinxhirin ushqimor,  nga prodhimi deri te konsumi, duke përfshirë produkte me origjinë shtazore, bimët, OMGJ-të dhe ushqimin për kafshë.

Institucioni Përgjegjës për Kryerjen e Kontrollit Zyrtar (IPKZ) kryen rregullisht kontrolle zyrtare në të gjithë operatorët. Sipas ligjit të ri, këto kontrolle kryhen pa njoftim paraprak, përveç në rastet kur është i nevojshëm dhe i justifikuar; kontrolle bazuar në risk dhe jo supozime, rregulla tw reja pwr therjen, inspektimin dhe mbikëqyrjen veterinare; Rregulla të veçanta për produktet OMGJ dhe etiketimin.

Në projektligjin e ri përcaktohen edhe masa administrative ndaj abuzimeve që mund të bëhen nga subjektet. Bëhet fjalë për gjoba që variojnë nga 100-300 mijë lekë, në rastet kur nuk siguron akses në pajisje, mjete transporti, mjedise dhe vende të tjera nën kontrollin e operatorit të biznesit, sisteme kompjuterike, kafshë dhe mallra, dokumente dhe informacione të tjera relevante. Si dhe ato maksimale 1- 2 milionë lekë, në rastet kur subjekti kryen aktivitetin në njësi të paregjistruar ose të pamiratuar.

Ligji është përafruar pjesërisht me rregulloren përkatëse të Bashkimit Europian, ku parashikohet që autoritetet vendase të ofrojnë ndihmë të plotë për të siguruar kontrollet e ekspertëve të Komisionit Evropian./ZËRI

Poll

MOS HUMB