Aktualitet

Lihet në burg Altin Morina/ SPAK dorëzon përgjimet: Bisedonte në “Sky ECC” me Durim Bamin dhe “Drejtorin”

Morina ka bashkëpunuar me Durim Bamin dhe një person tjetër të referuar si “Drejtori”, i cili ende nuk është identifikuar nga hetuesit.

F.I
Lihet në burg Altin Morina/ SPAK dorëzon përgjimet: Bisedonte
Altin Morina

TIRANË-Gjykata e Apelit të Posaçëm ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për Altin Morinën, ish-efektivin e RENEA-s, i cili akuzohet për pjesëmarrje në kultivimin e lëndëve narkotike në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal. Vendimi konfirmon atë të shkallës së parë. 

Prokurori i çështjes, Alfred Shehu, paraqiti para gjykatës një dosje me 26 faqe përgjime, të siguruara përmes aplikacionit të komunikimit të koduar “Sky ECC”, të cilat, sipas Prokurorisë së Posaçme, implikojnë Morinën në veprimtarinë kriminale.

Sipas SPAK, Altin Morina ka bashkëpunuar me Durim Bamin dhe një person tjetër të referuar si “Drejtori”, i cili ende nuk është identifikuar nga hetuesit. Avokatët mbrojtës së ish-efektivit kanë kundërshtuar akuzat, duke pretenduar se Morina nuk ka lidhje me aktivitetin kriminal të përmendur në dosje.

Morina ishte vendosur në pranga për akuzën e grupit të strukturuar kriminal në kuadër të operacionit “Revanshi”. Ish-efektivi i RENEA-s u arrestua më 4 prill pasi u shpall në kërkim në 17 maj të 2024 në kuadër të operacionit “Revanshi”.

Morina u arrestua edhe në mars të vitit 2023, pasi në makinën me të cilën po lëvizte iu gjetën 113 mijë euro. Altin Morina me detyrë Shef i Repartit të Stërvitjes tek Forcat RENEA, u prangos në zonën e Kodrës së Diellit, teksa lëvizte me këtë automjet luksoz. Shuma e konsiderueshme u gjet poshtë sediljes së parë e mbështjellë me një qese plastmasi. Një muaj më vonë, ai u lirua nga qelia pasi deklaroi se shumën e parave e kishte marrë hua te një biznesmen për një problem personal dhe se ato nuk ishin të krijuara nga aktiviteti kriminal./ZËRI

Poll

MOS HUMB