
SHKODËR- Policia e Shkodrës ka dalë me një tjetër informacion zyrtar lidhur me masakrën e ndodhur në Dobraç, pasditen e sotme. Sipas Policisë, viktima Hamza Lici dhe shoku i tij, Arlind Bushati udhëtonin me 3 armë zjarri, tip pistoleta. Po ashtu, edhe në makinën që dyshohet se është përdorur nga autorët e ngjarjes, janë gjetur armë zjarri të llojit kallashnikovë. Por sërish, edhe në këtë njoftim, nuk ka asnjë të dhënë për autorët e ngjarjes së rëndë që shokoi vendin dhe i mori jetën një gruaje të pafajshme, Fatmira Bashës. Në gjendje të rëndë bashkë me Bushatin është edhe bashkëshorti i saj, Bashkimi.
Shkodër/Informacion shtesë:
Në vijim të informacionit të dhënë më parë për ngjarjen e ndodhur në aksin rrugor “Shkodër-Koplik”, në Dobraç, ju informojmë se:
Nga kontrolli i ushtruar në automjetin që udhëtonin shtetasit H. L., dhe A. B., u gjetën 3 armë zjarri (pistoleta). Ndërkohë shërbimet e Policisë gjatë kontrollit të zonës për kapjen e autorëve, në fshatin Golem kanë konstatuar të djegur plotësisht një automjet tip “Range Rover” dhe 2 armë zjarri automatike. Grupi i posaçëm hetimor në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, po vijon punën për zbardhjen e rrethanave, sigurimin e provave me qëllim dokumentimin ligjor të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve./ZËRI