TIRANË-Në GJKKO po mbahet seanca paraprake në ngarkim të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa dhe të personave të tjerë. Veliaj është larguar nga salla e gjyqit me pretendimin se nuk është dëgjuar nga trupi gjykues.
"Meqenëse ju s'po më dëgjoni, po largohem,"- është shprehur kryebashkiaku.
Nga ana tjetër avokatja Valentina Teodoresku ka kërkuar shtyrje te seancës pasi nuk ka arritur që të konsultojë me Veliajt të gjitha aktet hetimore. Avokatja argumentoi se taksia e priti vetëm 1 orë në qendrën e paraburgimit në Durrës dhe nuk pati më shumë kohë në dispozicion të konsultohej me kryebashkiakun.
Kërkesa nuk është marrë parasysh nga gjyqtarja e çështjes Etleva Deda ndërsa Veliaj ka kërkuar përjashtimin e saj pasi i mohoi të drejtën të mbrohej efektivisht.
Veliaj ndodhet në qeli që prej 10 shkurtit 2025. Ai së bashku me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, akuzohen për korrupsion në 9 raste. Mbi Veliajn rëndon gjithashtu akuza për 'shpërdorim detyre', 'pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale', 'futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim' dhe refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim.