Aktualitet

Mbi një orë në SPAK, Xhelal Mziu flet pas daljes nga prokuroria: U thirra për çështje policie

Pas daljes nga ambientet e SPAK, ku qëndroi për rreth 1 orë e 20 minuta, Mziu është pyetur nga mediat nëse paraqitja e tij kishte të bënte me zgjedhjet.

zh.ll
Mbi një orë në SPAK, Xhelal Mziu flet pas daljes nga prokuroria:
xhelal mziu

TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratike, Xhelal Mziu, është paraqitur këtë të premte në SPAK. Pas daljes nga ambientet e SPAK, ku qëndroi për rreth 1 orë e 20 minuta, Mziu është pyetur nga mediat nëse paraqitja e tij kishte të bënte me zgjedhjet. Megjithatë, ai refuzoi të japë detaje, teksa deklaroi se ishte një “çështje policie”.

Mziu ka disa kallëzime në SPAK për abuzim me detyrën në kohën kur ai ka drejtuar Bashkinë e Kamzës. Po ashtu, ndaj tij është depozituar një kallëzim në qershor të vitit të kaluar nga deputeti i Partisë Socialiste në Dibër, Agron Malaj, i cili e akuzon për veprën penale të “shpifjes”. Gjithashtu, gjatë vitit 2024, deputeti demokrat është marrë në pyetje nga prokurorët e posaçëm edhe në lidhje me një çështje tjetër që ka të bëjë me tenderat gjatë periudhës kur ai drejtonte Bashkinë e Kamzës.

Padia erdhi pas një deklarate të bërë nga Xhelal Mziu një ditë përpara zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, se automjeti qe përdorej nga Malaj ka shpërndarë para në këmbim te votave. Me 10 maj një ditë para zgjedhjeve u shënua një incident, ku simpatizantët e Partisë Demokratike ndaluan një automjet duke pretenduar se personat që ishin në të, po shpërndanin para me qëllim blerjen e votave në favor të Partisë Socialiste. Pas kësaj ngjarjeje, drejtuesi politik i qarkut Dibër i PD Xhelal Mziu, akuzoi kandidatin e PS Agron Malaj, duke thënë se automjeti që po shpërndante para ishte i tij.

Deklarata solli edhe reagimin e Malajt i cili mohoi diçka të tillë dhe e cilësoi shpifje akuzën e Xhelal Mziut. Si përgjigje, me anë të një videoje, Malaj tha se ai ndodhej në Burrel me shtabin elektoral dhe jo në Maqellarë ku pretendohet se është bllokuar makina nga mbështetësit e PD-së./ZËRI

 

 

Poll

MOS HUMB