ROMË- Nors Manlapaz, nëna e Mark Samsonit djalit që vrau ish-të dashurën e tij studenten shqiptare, Ilaria Sula ka dëshmuar sot në gjykatë. Gjatë seancës dëgjimore, Manlapaz tregoi se çfarë ndodhi midis 24 dhe 26 marsit 2025, kur djali i saj, kishte fjetur në apartamentin e prindërve të tij. Më pas ajo tregoi marrëdhënien e tij me Ilarian, duke i kërkuar asaj të reja mbi studimet e të birit, deri në mëngjesin e datës 26, kur Mark doli për herë të parë nga dhoma për të bërë kafe dhe kuptoi se ish-e dashura e tij ishte aty, dhe më pas i dëgjoi ata duke debatuar.
“Natën para vrasjes, Marku më dërgoi një mesazh, duke thënë 'Mos eja në dhomë, kjo është e gjitha që të kërkoj, duhet të përqendrohem. Më duhej të mblidhja rrobat që vareshin jashtë dritares së dhomës së tij të gjumit, por Marku më tha se do të kujdesej ai për këtë. Të nesërmen në mëngjes, kur u zgjova rreth orës 9 të mëngjesit, ai erdhi në kuzhinë dhe më përqafoi. Pastaj bëri dy filxhanë kafe, duke thënë se Ilaria ishte me të. I dëgjova duke folur me zë të lartë nga dhoma, duke u grindur. Kështu që shkova dhe trokita në derë, e shqetësuar. Marku më tha: 'Mami, vetëm po flasim.' Pak më vonë, dëgjova Ilarinë në dhomë duke bërtitur dhe duke thënë: 'Çfarë do të bësh tani?' U përpoqa të hyja brenda, por ai më tha dy herë: 'Mami, prit.' Pasi hapi derën e dhomës, e pashë duke qarë, ishte i skuqur plotësisht. Dridhej, duke thënë 'Mami, kam uri, nuk kam fjetur'. U përpoqa ta përqafoja dhe pashë trupin e Ilarias të shtrirë me fytyrën përtokë. E pyeta djalin tim: 'Çfarë ke bërë?' Ai u përgjigj duke thënë: 'Ilaria nuk është më këtu, më tradhtoi' dhe se nëse nuk do të kishte vdekur ajo, ai do të kishte vdekur”, dëshmoi ajo.
Më tej ajo i kërkoi falje familjes së viktimës, por shtoi se duhej të mendonte për djalin e saj të parin.
“Kur hapa derën kishte shumë gjak në dysheme, rreth kokës së Ilarisë. Marku më çoi në dhomën time dhe më pyeti: 'Mami, a kemi ndonjë valixhe?' Pastaj më tha të shkoja të blija valixhe dhe detergjent. Ai përdori peceta për të pastruar gjakun dhe unë i dhashë disa rroba të vjetra. I thashë: 'Hiq pjesën më të madhe të gjakut.' Më vjen shumë keq për prindërit e Ilarisë, por isha e frikësuar dhe mendova për djalin tim së pari."
Manlapaz u deklarua fajtore dhe u dënua me dy vjet burg për komplot të rënduar për të fshehur kufomën. Ajo e përfundoi dëshminë e saj me lot në sy, duke i kërkuar falje familjes së viktimës. Ajo gjithashtu kërkoi të afrohej për ta përshëndetur dhe për t'i kërkuar falje nënës së saj, Gëzime Sulës, por ajo refuzoi.
"Pse nuk ndërhytët kur dëgjuat Ilarinë duke bërtitur nga dhoma e Markut? Pse nuk thirrët policinë kur djali i saj hapi derën dhe ajo pa trupin e Ilarisë? Ndoshta ajo ishte ende gjallë. Por në vend të kësaj, ajo nuk e ndaloi në atë", u shprehën prindërit e Ilarias, Flamur dhe Gëzime Sula. "Të vijmë në gjykatë është një plagë e për ne. Nuk e kemi parë Ilarinë për një vit; nuk ka justifikime për diçka të tillë", shtuan ata.
Mark Samson e vrau Ilaria Sulën duke e goditur 3 herë me thikë në fyt, mbrëmjen e 25 marsit, plagë që i shkaktuan vdekjen 22-vjeçares shqiptare në më pak se një minutë për shkak të humbjes së madhe të gjakut. 23-vjeçari mbylli derën e dhomës së tij të gjumit dhe deri pasditen e 26 Marsit e mbajti të fshehur trupin e studentes shqiptare, të cilën e kishte ftuar për të fjetur në shtëpinë e tij, edhe pse kishin një vit që ishin ndarë. Prej një jave e zhdukur, 22-vjeçarja Ilaria Sula u gjet e vrarë. Trupi i pajetë u gjet në një valixhe të hedhur në humnerë në një zonë të pyllëzuar në Poli./ZËRI