TIRANË-Ka përfunduar afati i aplikimeve për garën e drejtuesve të 6 departamenteve kryesore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Raportohet se kanë aplikuar 9 kandidatë, të cilët do të konkurrojnë për drejtimin e strukturave më të rëndësishme të institucionit. Në garë janë: Pëllumb Seferi, Artan Barjaktari, Lorenc Panganika, Saimir Muçaj, Hergis Jica, Idajet Faskaj, Ferdinand Mara, Alban Dauti dhe Lufti Minxhozi.
Kandidatët presin të zëvendosjnë postet e drejtuesve me karrierë të gjatë në polici. Një prej tyre është Neritan Nallbati në krye të Policisë Kriminale, i cili nuk ka shfaqur interes për një mandat të dytë. Departamentin e marrëdhënieve Ndërkombëtare e drejton Pëllumb Seferi, i cili kërkon sërish një departament.
Te Shërbimet Mbështetëse është Theodhori Gravani, Dhitraq Ziu te Rendi dhe Sigurisë, Aida Hajnaj te Teknologjia e Informacionit, ndërsa Kufiri dhe Migracioni nga Saimir Muça, i cili është sërish në garë për drejtor departamenti.
Procesi u hap me urdhër të kryepolicit Skënder Hita dhe synon për herë të parë që drejtuesit e këtyre strukturave të përzgjidhen përmes një gare. Sipas kritereve të përcaktuara në ligjin për Policinë e Shtetit, kandidatët duhet të kenë gradë të rolit të mesëm drejtues, të mos kenë masa të rënda disiplinore gjatë tre viteve të fundit, të mos jenë në konflikt interesi dhe të plotësojnë kriteret ligjore e shëndetësore për funksionin.
Në ditët në vijim pritet të zhvillohen fazat e vlerësimit nga komisioni i posaçëm i Policisë së Shtetit, në përfundim të të cilave do të përcaktohen drejtuesit e rinj të gjashtë departamenteve. Emërimi i tyre do të bëhet me propozim të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe me firmën e ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari.