TIRANË-Jonida Proga, e motra e Egli Progës, i vrarë në Pogradec në verën e 2024, ka akuzuar Këshillin e Lartë të Prokurorisë se ka favorizuar dhe promovuar prokuroren e çështjes së vëllait të saj, Vasjana Postoli. Me anë të një postimi në Facebook, Jonida Proga shkruan se kjo prokurore ka deklaruar në seancë gjyqësore se Egli Proga vdiq nga një grusht, kur në të vërtetë autori Denis Meçe, sipas saj ishte një kriminel dhe gjobaxhi që vendoste gjoba nëpër tregëtarët e qytetit të Pogradecit.
"Faleminderit Prof. Mirela! Po të masakrohej vëllai yt nga kriminelët e gjobaxhinjtë, a do e dekoroje prokuroren që tha "vdiq nga një 'grusht'”? Faleminderit të gjithë anëtarëve të KLP që mbyllni sytë sa herë votoni, për të mos parë ç'keni para!, shkruan Jonida Proga.
Dy autorët e arrestuar për vrasjen e Englatin Progës u lanë në 'arrest shtëpie', pas 15 muajsh në qeli. Prokuroria e Korçës vijon hetimet dhe është ende në pritje të akt-ekspertimit, ku një pjesë e pamjeve filmike rezulton e fshirë.
Pasditen e 10 gushtit në lagjen 1 të Pogradecit, 42 vjeçari Egli Proga baba i dy fëmijëve u dhunua për vdekje. Jashtë lokalit ka qenë autori, Denis Meçe me dy të tjerë Arjan Manellari dhe Leonidha Guçe, ndërsa brenda lokalit ka qenë dhe një shtetas vetëm, edhe ai duke pirë. Autori Denis Meçe u largua nga vendgjarja, por u arrestua vetëm disa ditë më vonë ndërsa në pranga përfunduan edhe 3 personat të cilët deklaruan se nuk kishin parë asgjë nga ngjarja e rëndë. Bashkë me të, për moskallëzim krimi u proceduan edhe Voltan Shkulaku, Arjan Manellari dhe Leonidha Guçe. Ky ifundit po hetohet edhe për bashkëpunëtor në vrasje./ZËRI


