LEZHË- Vijojnë hetimet për zbardhjen e shkaqeve të vdekjes së 65-vjeçarit Gjergj Tusha, i cili u gjet pa jetë në Tale të Lezhës, pasditen e djeshme. Ndërkohë, sipas ekspertizës mjekoligjore, është përcaktuar se viktima nuk ka plagë të shkaktuara me armë zjarri, por dëmtime dhe thyerje të brinjëve.
Paraprakisht dyshohet se vdekja e tij ka qenë aksidentale. Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se dekjen dyshohet t’i jetë shkaktuar nga goditja e një demi, i cili dyshohet se e ka përplasur në pemë. Kjo për shkak se në momentin kur ka ndodhur ngjarja ka qenë me bagëtitë.
Hetuesit po analizojnë faktin se mund të jetë goditur nga demi që ruante, pasi në brirët e kafshës ka njolla gjaku. Gjithashtu edhe bashkëshortja e viktimës ka pranuar se demi ishte i egër dhe se e kishte paralajmëruar të shoqin qe mund ta dëmtonte.
65-vjeçari u raportua i humbur nga vajza e tij, gjatë pasdites së djeshme. Pas disa orësh kërkime, trupi i tij i pajetë u gjet në breg të lumit Mat, në Pllanë, Lezhë. Ngjarja po hetohej edhe si krim në familja, pasi më herët u raportua se 65- vjeçari kishte tre urdhër-mbrojtjeje nga i biri në 3 vite të ndryshme, për dhunë fizike dhe psikologjike. Por, pas ekspertizë ngjarja tashmë ka marrë kthesë tjetër./ZËRI
