TIRANË- Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Mirlinda Karçanaj është paraqitur sot në SPAK. Mësohet se Karçanaj do të merret në pyetje lidhur me hetimet e SPAK për abuzimet me 12 tendera të AKSHI-t. Gjatë dy javëve të fundit mësohet se janë thirrur për të dëshmuar më shumë se 20 persona, mes tyre punonjës dhe drejtues të AKSHI-t.
Kujtojmë se në fillim të muajit gusht oficerë të BKH-së kanë ushtruar kontrolle në kompaninë “Soft & Solution”, në pronësi të biznesmenit Ermal Beqirit, i cili rezulton fitues në një sërë tenderash publikë, përfshirë edhe ato të shpallura nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Emri i Ermal Beqirit u bë i njohur për publikun për herë të parë në vitin 2021, kur ai u thirr si ekspert në procesin gjyqësor për korrupsion ndaj Ilir Metës. Beqiri kreu ekspertizën teknike mbi videon e njohur si “Meta–Prifti”, ku ish-zv.kryeministri dhe Dritan Prifti diskutonin për ndarje fondesh në shumën 700 mijë euro./ZËRI


