TIRANË- Prokurori i Posaçëm Bledar Maksuti ka intesifikuar hetimet në lidhje me tenderat e dyshuar korruptiv në Agjensinë Kombëtare të Informacionit. Gjatë dy javëve të fundit mësohet se janë thirrur për të dëshmuar më shumë se 20 persona, mes tyre punonjës dhe drejtues të AKSHI-t.
Në kuadër të të njëjtave hetimet është marrë më herët në pyetje edhe drejtoresha Mirlinda Karçanaj dhe bisnesmeni Ermal Beqiraj. Gjatë muajve të fundit janë kryer kontrolle dhe sekuestruar dokumenta e sende me vlerë në dhjetra zyra, banesa përfshirë edhe biznese.
Kujtojmë se në fillim të muajit gusht oficerë të BKH-së kanë ushtruar kontrolle në kompaninë “Soft & Solution”, në pronësi të biznesmenit Ermal Beqirit, i cili rezulton fitues në një sërë tenderash publikë, përfshirë edhe ato të shpallura nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Emri i Ermal Beqirit u bë i njohur për publikun për herë të parë në vitin 2021, kur ai u thirr si ekspert në procesin gjyqësor për korrupsion ndaj Ilir Metës. Beqiri kreu ekspertizën teknike mbi videon e njohur si “Meta–Prifti”, ku ish-zv.kryeministri dhe Dritan Prifti diskutonin për ndarje fondesh në shumën 700 mijë euro./ZËRI


